×
  • Lajme
  • Lajme

    Uta Ibrahimi ngjitet edhe në majen Cho Oyu në Himalaje

    Insajderi
    28 September 2018 - 12:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Uta Ibrahimi, alpinistja e parë dhe deri tash e vetmja shqiptare që po ngjitet majave më të larta të botës, pas ngjitjes së majës më të lartë në botë, majës së Everestit dhe pas ngjitjes së dy majeve tjera: Manaslu (e 8-ta më e larta) dhe Lhotce (e 4-ta më e larta), më 26 shtator, në ora 11.06 (me orën kineze) e ngjiti me sukses edhe Majën Cho Oyu, e cila është maja e 6-ta më e lartë në botë me 8,201 metra lartësi mbidetare, dhe gjendet në Tibet-Kinë.

    Këtë ngjitje ajo e bëri pa sasi shtesë të oksigjenit, që shënon edhe një rekord të ri për alpinisten shqiptare Uta Ibrahimi.

    “Kjo ngjitje ka qenë më sfiduese nga të gjithat deri me tani. Rotacionet e aklimatizimit kryesisht i kam bërë vet dhe të gjitha pajisjet personale i kam bajt vet, pra pa ndihmën e Sherpave, deri në ditën e majës kur ju kam bashku ekipeve të tjera. Këtu kam pas pak ndihmë nga sherpat e ngjitjes, por kryesisht jam ngjitur me shumë peshë shtesë”, thotë Uta.

    Uta kishte planifikuar që të ngjitet pa sasi shtesë të oksigjenit, mirëpo në natën e majës, dikun në 7,800 metra, kanë filluar t’i ngrihen gishtat e dorës, që e ka shtyer atë të përdor oksigjen vetëm deri në lindjen e diellit (afërsisht deri te maja e Cho Oyu-së).

    “Këto ngjitje të harxhojnë shumë nga vetja. Të duhet forcë dhe motiv i bollshëm për me arrit drejt majës. Motivi dhe shtyrësi i ngjitjeve të mia është populli im dhe ndjenja e krenarisë kur valvoj flamurin e shtetit dhe të kombit. Për popullin tim, malet e mia” – shprehet Uta, e emocionuar.

    Uta Ibrahimi tani gjendet në kampin bazë dhe së shpejti do të zbret në Kathmandu, Nepal. Pastaj me 7 tetor fillon ngjitjen në Amadablam, majë mjaft teknike, por jo e lartësisë 8,000m+.

    Brenda 18 muajve, Uta Ibrahimi ka ngjitur 4 prej gjithsej 14 majeve më të larta në botë, që njihen si majat 8,000-jëshe (sepse të gjitha janë mbi 8,000m lartësi mbidetare).

    Ekspedita “14 majet e Himalajeve” e ndërmarrë nga vet Uta Ibrahimi, ka për qëllim që të pushtojë të gjitha 14 majet më të larta në botë, që gjinden në malet e Himalajeve. Këtë e kanë bërë shumë pak njerëz në botë, dhe Uta synon që të jetë shqiptarja e parë që e arrin këtë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark