×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Vajza e ish-ministrit të LDK-së dyshohet se u punësua pa plotësuar kriteret në Odën e Avokatëve

    Insajderi
    10 December 2020 - 20:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vjollca Demolli, vajza e ish-ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, (FSK), nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Demollit, po dyshohet se u punësua pa i plotësuar kriteret e konkursit për pozitën: “Administrator ex-officio”, në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK).

    Vranina Kelmendi

    Oda e Avokatëve kishte shpallur një konkurs në tetor të këtij viti për pozitën “Administrator ex-office”, ku fatlumja për të zënë këtë pozitë do të jetë Vjollca Demolli, vajza e ish-ministrit të LDK-së, Haki Demolli, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ky konkurs që kishte pasur dy faza të testimit, atë me shkrim, intervistimin dhe disa kritere. Njëri nga kriteret e domosdoshme të këtij konkursi ishte edhe puna praktike që duhej ta kryente çdo kandidatë në Odën e Avokatëve të Kosovës.

    Kusht, ky që Demolli dyshohet se nuk e ka plotësuar.

    Edona Zuzaki, është një kandidate për këtë pozitë. Ajo ka treguar për Gazetën Insajderi disa nga kriteret kryesore që duhet plotësuar për pozitën “Administrator ex-office”.

    Zuzaki thotë se përveç posedimit të diplomës së Fakultetit Juridik, kandidati duhet të ketë edhe certifikatën e punës praktike nga OAK.

    “Kriteret themelore që kanë qenë  për atë konkurs përveç se ka qenë diploma e Fakultetit Jurdik, përvoja e punës një vjeçare, dhe praktika në Odën e Avokatëve. Unë kam aplikuar aty pasi i kam plotësuar kriteret, jam magjistër i shkencës drejtimit civil me notë mesatare i kam përmbi 9. Kemi hy në test me shkrim mandej janë publiku rezultat mendoj që kam punuar më shumë se sa ato pikë. Testin me shkrim e kemi kaluar 7 persona”, ka thënë Zuzaku

    Zuzaku ka shtuar se, “Pasi kam kalu këtë fazë kemi kalu në intervistim i cili ka zgjat 30 minuta ka pas pyetje të ndryshme. Po kam mbajt 3 muaj praktikë në Odën e Avokatëve bashkë me dy kandidatët për këtë pozitë nga muaji qershor deri në shtator”.

    Ndërsa sa i përket praktikës në Odën e Avokatëve, kandidatja Zuzaku, ka potencuar se gjatë periudhës sa ajo ka qenë në praktikë, vajza e Haki Demollit nuk ka qenë.

    “Jo, kemi qenë vetëm tre persona nga 15 qershori deri me 15 shtator”, ka treguar Zuzaku për Insajderin.

    Por, Insajderi ka marr vesh se Demolli ka bërë praktik në zyrën e avokatit Selatin Ahmeti.

    Ahmeti për Insajderi ka konfirmuar se Demolli kishte marrë praktikë në zyrën e tij dhe ka lëshuar vërtetimin për punën një vjeçare.

    “Po, e kam lëshuar vërtetimin e praktikës po i harroj detalet më duket 1 vit ka qenë. Tek unë e ka kryer praktikën dhe unë kam të drejtë  më lëshuar, qashtu e di unë edhe me dispozita ligjore. Në qoftëse ka qenë në Odë të Avokatëve atëherë  ata ja lëshojnë”, ka thënë Ahmeti.

    E ky konkurs që kishte përfunduar në 2 dhjetor të këtij viti sipas shpalljes së kandidatëve kishte nxjerrur të parën në listë vajzën e Haki Demollit me numrin të madh të pikëve.

    Në përgjigjen e Odës së Avokatëve lidhur me plotësimin e kritereve dhe numrin e pikëve të kandidates Demolli kanë thënë se Komisioni Përzgjedhës ka zhvilluar vlerësimin sipas procedurave.

    Komisioni Përzgjedhës ka zhvilluar procedurat, lidhur me vlerësimin e aplikacioneve të të gjithë kandidatëve, sipas kritereve të përcaktuara me konkurs, përzgjedhjen e listës së ngushtë të kandidatëve për fazën e testimit me shkrim dhe pastaj intervistës me gojë dhe në harmoni me normativën përkatëse dhe ka bërë përzgjedhjen e kandidates më të suksesshme e cila ka rezultuar me suksesin më të lartë të pikëve pas mbajtjes së testit me shkrim dhe intervistës me gojë.

    Po ashtu Oda e Avokatëve është arsyetuar duke thënë se Vjollca Demolli ka dal si kandidatja më e suksesshme.

    “Ndërsa lidhur me pyetjet që kanë të bëjnë me znj. Demolli, u’a konfirmojmë se e njejta ka plotësuar kriterin e kërkuar me konkurs sepse ka punuar në zyre të avokatit, gjë që është vlerësuar edhe nga Komisioni Përzgjedhës dhe ka kaluar në fazat e mëtejme të konkursit. I gjithë procesi ka qenë transparent dhe nuk ka pas asnjë vërejtje deri më tani”, thuhet në përgjigjen e OAK-ut për Insajderin.  /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark