×
  • Lajme
  • Lajme

    Vala e të nxehtit, emergjencat për Shqipërinë

    Insajderi
    06 August 2022 - 12:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit në Europë po tregon se çfarë do të thotë ndryshimi i klimës, se sa e nevojshme është një “Axhendë e Gjelbër” dhe fokus për masa të mëtejshme edhe në Shqipëri!

    Vala e fundit e të nxehtit është një kujtesë se fatkeqësitë rrallë janë aq të sjellshme sa të presin radhën. COVID-19, lufta në Ukrainë dhe streset ekonomike të inflacionit po e bëjnë më të vështirë për vendet që t’i përgjigjen motit të rëndë.

    Vapa e madhe këtë javë në të gjithë Europën është e pazakontë për kontinentin, por nuk është për t’u habitur. Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh se valët më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit janë një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike, madje edhe në vendet me klimë të butë.

    Ndërsa i gjithë planeti është ngrohur mesatarisht me rreth 1 gradë Celsius që nga Revolucioni Industrial, kjo rritje e vogël e mesatares po çon në një rritje të lartë të temperaturave ekstreme.

    Vapa e ditëve të fundit po i shtyn shkencëtarët të rimendojnë se sa shpejt mund të arrijnë temperaturat ekstreme. Por tashmë është e qartë, Europën e presin vera më të nxehta.

    Që nga maji në fakt, Europa ka qenë ndër “pikat e nxehta” më të shpejta në botë nga valët e të nxehtit. Parashikimet nuk tregojnë shenja uljeje. Shumë pjesë të Europës Perëndimore po përjetojnë temperatura ekstreme dhe vende si Portugalia po luftojnë me zjarret e furishme, duke prekur mijëra njerëz.

    “Me krizën klimatike, kjo nxehtësi është pjesë e ‘normales sonë të re’ – thotë Maarten van Aalst, Drejtor i Qendrës Klimatike të Kryqit të Kuq. Këto ngjarje vdekjeprurëse tani janë më të shpeshta dhe më intensive”.

    Në dhjetë vitet e fundit, fatkeqësitë e lidhura me klimën dhe motin kanë vrarë më shumë se 400,000 njerëz, kanë prekur 1.7 miliardë të tjerë dhe kanë zhvendosur mesatarisht 25 milionë njerëz çdo vit në mbarë botën.

    Personat më të rrezikuar nga valët e të nxehtit përfshijnë të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe ata me gjendje shëndetësore para-ekzistuese.

    Valët e të nxehtit kanë ndikime edhe në fusha të tjera të shoqërisë, si reduktimi i aktivitetit ekonomik, presioni mbi sistemet shëndetësore dhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

    Stafi dhe vullnetarët nga Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në të gjithë rajonin po mbështesin komunitetet që të përgatiten dhe janë të prekura nga valët e të nxehtit.

    Në të njëjtën kohë, ekipet po reagojnë ndaj zjarreve shkatërruese, veçanërisht në Portugali, por edhe në Spanjë, Itali, Greqi dhe Turqi, të shkaktuara nga nxehtësia ekstreme.

    Me valët e të nxehtit që kanë përfshirë shumë shtete në botë, ndërsa kriza klimatike përkeqësohet, kërkohet më shumë gatishmëri dhe sisteme parandaluese të hershme, për të reduktuar dhe për të menaxhuar rreziqet.

    “Njerëzit nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për rreziqet e nxehtësisë. Por kur komunitetet i kuptojnë rreziqet dhe marrin masa të thjeshta për t’u përgatitur për të, ata mund të parandalojnë tragjedi, – thotë Van Aalst. – Ne i nxisim qytetet dhe komunitetet të përgatiten dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të shpëtuar jetë, tani dhe në planin afatgjatë”.

    Vala e fundit e të nxehtit po nxjerr në pah dobësitë e Europës

    Megjithëse shumë shtete në Europë janë të pasura, nxehtësia është një kërcënim i madh për njerëzit dhe infrastrukturën. Për shkak të klimës, zakonisht të butë në Europë, shumë shtëpi dhe biznese nuk kanë investuar në ajër të kondicionuar.

    Më pak se 5 për qind e shtëpive në Europë kanë ajër të kondicionuar, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Dhe krahasuar me njerëzit që jetojnë në vende me klimë më të ngrohtë, europianët janë gjithashtu më pak të ambientuar me nxehtësinë ekstreme.

    Këto modele janë arsyeja pse valët e të nxehtit janë shpesh më të rrezikshme në vendet me klimë më të freskët. Në fakt, një nga parashikuesit më të mëdhenj të rreziqeve të valëve të të nxehtit nuk është sa rriten temperaturat, por sa shumë ato devijojnë nga norma për një zonë.

    Europa është gjithashtu shumë e urbanizuar. Rreth 72 për qind e banorëve të Bashkimit Europian jetojnë në qytete, qyteza dhe periferi.

    Betoni, qelqi dhe çeliku i mjediseve urbane dhe mungesa relative e hapësirave të gjelbra i kthen qytetet në ‘ishuj të nxehtësisë’ që qëndrojnë më të nxehtë se mjedisi i tyre.

    /Monitor/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark