×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Vallja ballkanase me kryevalltar Danillo Kishin

    Insajderi
    14 May 2023 - 21:12

    Autor: Bllaga Dimitrova, shkrimtare bullgare

    Përktheu në gjuhën shqipe: Prof. dr. Agim Vinca

    Në këtë kohë të çmendur njeriut i ndodh t’i takojë diku larg njerëzit më të afërt për nga shpirti dhe gjuha. Dhe këto takime, veçanërisht kur vijnë pas pengesash të shumta, janë një çudi e vërtetë.

    Gjatë shtatorit të vitit 1986 isha për pushime me makinën e shkrimit në Detin e Zi. Në një pasdite të përgjumshme më zgjoi një telefonatë e papritur: nga Danimarka. Hele Dalgor, bullgariste, mike e flaktë e kulturës sonë, i ra trup:

    – Nisu menjëherë! Të presim! A s’e ke marrë ftesën? Doli nga shtypi përmbledhja jote me poezi në përkthimin tim danisht.

    Nuk dija gjë. Ishte koha e izolimit. Të gjitha ftesat e mia nga jashtë kontrolloheshin nga “organet” dhe rrallë e tek arrinin tek unë. Ndërkohë ndodhte që mësoja se si unë “kisha hequr dorë” nga ndonjë udhëtim “për shkaqe shëndetësore” ose ngaqë “momentalisht ndodhesha jashtë shtetit”, ndërsa Jurij Trifonovit me rastin e vizitës në vendin tonë, kur kishte pyetur për mua, shoqëruesit zyrtarë i kishin thënë seriozisht: “Ka emigruar në Vjenë”. Dhe kur ai më pa në mbrëmjen e tij, nuk mund t’u besonte syve.

    – E pamundur! – i thashë danezes. As leje kam, as vizë, as biletë, asgjë.

    Por Hele Dalgor nuk është nga ato që tërhiqen lehtë. Dhe ndërsa unë nuk lëviza as një gisht për atë udhëtim, e bindur se çdo përpjekje ishte e kotë, ajo s’i kishte pushuar telefonatat. Ku s’kish telefonuar! Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Komitetin e Kulturës, në Lidhjen e Shkrimtarëve. Të nesërmen më thirri përsëri: Të gjitha janë rregulluar! S’ka rëndësi si. Mos e zgjat! Nisu në çast!

    Edhe sot e kësaj dite më duket e pabesueshme. Për një fije floku më shpëtoi pa rrëmbyer Danimarka dhe, tok me të, edhe një takim nga ata që ndodhin veç një herë në jetë.

    Nga deti ynë jugor u gjenda në qytetin danez Orhus në brigjet e detit verior. Ishte vjeshta e vitit 1986 – plot tre vjet para ndryshimeve. Atje mësova për veprimtarinë që më priste: Mbrëmje e letërsisë ballkanike. Kishte ardhur një romancier grek, një tregimtar shqiptar (kryetari i atjeshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve, që kishte ardhur në vend të të ftuarit Ismail Kadare), autori botërisht i njohur nga Jugosllavia – Danillo Kish dhe vogëlsia ime. Pritej edhe një poet turk dhe buqeta ballkanike do të ishte e plotë. Heleja më shpjegoi se po të mos i kishte bërë tërë ato telefonata nëpër instancat tona më të larta, edhe Bullgaria do të përfaqësohej, si Shqipëria, nga kryetari i LSHB. E tillë ishte procedura.

    Në mbrëmje, ndaj të ngrysur, më çuan në një park të bukur, që dukej si të kishte dalë nga përrallat e Andersenit – lule fantastike, gjelbërim i harlisur, pishina të gjera dhe përroska me ujë të kulluar, që rridhnin qetë si në ëndërr. Atje, ulur në një fron të gjerë, nën hijen e drurëve shekullorë, pinte duhan një burrë zeshkan. Edhe i ulur të linte përshtypjen e njeriut shtatlartë. Nën flokët e zeza të dendura – fytyra inteligjente, thuajse e skalitur nga mendimi i mprehtë dhe vuajtjet e shumta. Posa mori vesh se prej nga jam, menjëherë më foli në gjuhën e tij, kurse unë ia ktheva në timen – dhe kështu u kuptuam që nga fjala e parë, ballkançe. Ishte i famshmi Danillo Kish, për të cilin kisha dëgjuar aq shumë.

    E pyeta për kolegë të mi të njohur nga vendi i tij. Ai më tha se tash sa kohë jetonte në Paris e “poshtë e përpjetë”. Dhe vetë bëri një pyetje, së cilës edhe iu përgjigj pa vonesë.

    – Përse? – pyeti me talentin e njeriut të paimitueshëm, më saktë të gjeniut, i cili i bën të tjerët të qeshin edhe atëherë kur vetë është i pikëlluar. Nuk është e mundur të përshkruhet ajo magji, që të shtyn të shkrihesh në gaz si kurrë ndonjëherë më parë, pavarësisht nga shkaku. Me rrezikun e humbjes së sharmit, do të përpiqem ta transmetoj kuptimin e fjalëve të tij, në të cilat ndryhet një fat i tërë.

     – Po unë kurrsesi të mësohem me përhimësinë. Jam alergjik ndaj saj, për zotin! E hap dritaren në mëngjes për ta ajrosur dhomën dhe të mbyt përhimësia. Ta zë frymën si flamë. Të vjen të plasësh! Ngado që të shkosh, gri se gri. U desh të largohem patjetër. Kurse këtu ajo mungon! – tha dhe i hodhi një shikim të gjerë lulishtes së bukur.

    E soditi gjatë peizazhin përreth, me shikim të thellë, gjer në lëkurë, i pangopur me bukuri. Befas shikimin ia tërhoqi grupi i njerëzve, që ishin mbledhur rreth mysafirit të vetëftuar shqiptar. Dhe përsëri – një gejzer mendimesh të mprehta:

    – I shikoni? Ç’simpatikë! Socialistë, ëndërrimtarë danezë! Përse ëndërrojnë vallë? Të bëhet edhe këtu gri! Si tek ne, si tek ju, si në Shqipëri! I tërë ky kolorit magjik të shkrihet në një ngjyrë. Uroj që ta sendërtojnë sa më parë këtë ëndërr! Le të shndërrohet gjithçka në gri të pastër, të uniformuar. Dhashtë zoti të kenë sukses, për zotin! Ndryshe si do të mbushen mend…

    Nikoqirët na ftuan të hynim në sallë. Ndërtesa ishte si një anije e bardhë e zhytur në hapësirën e kaltër të detit. Salla ishte përplot njerëz, kryesisht të rinj, studentë e profesorë. Rrinin rreth tryezave të rrumbullakëta të qetë e seriozë, duke pirë kafe e lëngje. Në atë sallë, ku gjithçka shkëlqente, fillova t’i shikoj gjërat me sytë e Danillo Kishit, plot alergji për ngjyrën gri e adhurim për dhuratat shumëngjyrëshe të natyrës. Ne, katër shkrimtarët ballkanas, bashkë me përkthyesit, u ulëm në një tryezë anësore dhe derisa prisnim fillimin e “spektaklit” a të “shout”, si i thonë tani, unë shtrova një pyetje disi të turbullt:

    – Nuk e kam të qartë përse na kanë ftuar këtu?

    Duke iu përgjigjur pyetjes sime Danillo Kishi bëri një nga numrat e tij më pikantë, më spirituozë e më artistikë që mund të imagjinojë njeriu; një improvizim të shkëlqyer, që do ta mbaj mend sa të jem gjallë.

    – Përse na kanë ftuar? Sepse asgjë nuk dinë për ne! Dofarë aborixhinësh atje në fund të botës! Po, për zotin! Dhe ne duhet t’u tregojmë kush jemi! Si? Do të hedhim një valle – valle ballkanase! Ja, kështu!

    Danilloja u ngrit, nxori shaminë nga xhepi dhe e shpalosi.  

    – Së pari do të kapemi dorë për dore, pastaj do ta drejtojmë trupin dhe do të thërrasim: “Hopa!”. Kur ta përplasi unë këmbën për tokë, ju më ndiqni pas. Përplasja e këmbës është një nga simbolet tona autoktone: shprehje e inatit, tiparit kryesor të karakterit ballkanas. Le t’u japim evropianëve simbole, arketipe! Tek ne ka sa të hanë qentë! Simbol i dytë kuptimplotë është: temenaja – përkulja e thellë e trupit me kryet përpara si në cung dhe ngritja e sërishme në këmbë. Ja, kështu! Na ka mbetur nga koha e sundimit turk! Valvitja e shamisë është simboli i tretë: valon flamuri mbi Ballkan, luftë e madhe bëhet. Ritmi bëhet më i shpejtë. Gjithnjë e më i shpejtë. I lëshojmë duart dhe – kujdes! Kapemi për flokësh! I-ha-haa! Vallja bëhet gjithnjë e më e vrullshme, gjithnjë e më e gjallë. Më e marrë. Shkulim blene të tëra jelesh. Përplasje këmbësh, tym, erë, zhurmë e poterë, një rrëmujë e vërtetë, prej së cilës danezët e urtë do ta humbin torruan, do të mbesin pa gojë! Dhe në fund shpallim me zë të lartë si të bënim propagandë: – Ja, kjo është vallja ballkanase! Iha-ha!

    I shtova kësaj simbolike edhe një element të shopëve[1] tanë:

    – Mbahu tokë, shopi po të shkel!

    Kryevalltari, Danillo Kishi, e paloi “bajrakun”, e futi në xhep dhe tha:

    – Një herë tjetër do t’u kallëzoj një valle tjetër, edhe më të ashpër, edhe më të egër: atë të rrokjes për gushe! Si një mësim konkret nga historia e Ballkanit. Fytafyt, dhëmb për dhëmb! Me shpirt ndër dhëmbë!

    Nuk mund ta merrja me mend se këtë skenë e luajti një njeri në gjendje të rëndë shëndetësore. U gajasëm së qeshuri. Ky ishte shou i vërtetë. Në podium, ne, ambasadorët e letërsive ballkanike, lexuam secili nga diçka në gjuhët tona amtare, kurse përkthyesit i transmetuan në danisht ato. Në mënyrë më modeste, me më së paku tekst, u prezantua i madhi Danillo Kish. Dhe u zhduk. Nuk e pamë, as e dëgjuam më. Kishte pasur një krizë veshkash. Nuk iu ankua askujt.

    Mikpritësit gjentilë më organizuan një udhëtim nëpër Danimarkën e bukur, hapësirën shumëngjyrëshe të së cilës tani e shihja me sy të tjerë, që m’i kishte mbjellë malaziasi alergjik ndaj ngjyrës gri.

    Gjatë vitit vendimtar 1989 u trondita nga lajmi për vdekjen e Danillo Kishit. Më dukej i pabesueshëm. Nuk mund ta besoja që s’ishte më ai burim i pashtershëm energjish, që krijonte në çast komunikim të ngrohtë me njerëzit, humor, të qeshura! Të ikte pikërisht në prag të ndryshimeve të shumëpritura! Qysh nga ajo kohë vazhdimisht mbaj kontakte me miq të tij – intelektualë, shkrimtarë, artistë të vendeve të ndryshme, mërgimtarë, pelegrinë, qytetarë të botës. Të gjithë e kujtojnë si bashkudhëtarin më të shtrenjtë nëpër andrrallat e kohës, atë njeri të çuditshëm. Gjithnjë e më shumë bindem se Danillo Kishi, kryevalltari hokatar i asaj valleje ballkanike, hyri seriozisht në një valle të pafund shpirtrash të njëjtë në tërë botën. Dhe askush s’mund ta ndërpresë atë valle.

    I çuditshëm më është kujtimi për atë njeri me fytyrë, ta quaj, shëruese, që vazhdon të më bëjë të qesh me humorin e tij të shëndetshëm e të pashtershëm. Ai buronte në çast, nga kombinimi i papërsëritshëm i rastësive dhe të papriturave, nga zëri dhe nga gjestet karakteristike të Danillo Kishit. Dhe sidomos nga gjuha: fjala serbisht në gojën e tij prej mjeshtri kishte një komizëm epidemik dhe kthesa e nuanca të tilla intonative, që është e pamundur të përshkruhen. Malaziasi nga “Monte Negro”, për të cilin evropianët e mjerë as që kanë dëgjuar, thoshte: “kapsallitin sytë si guhakë dhe pyesin se ku bie ky vend, në ç’kontinent…”.

    Në qoftë se ky udhëtim imi në Danimarkë do të kishte dështuar, siç kishte gjasa reale, nuk do të kisha pasur rastin të takohesha me Danillo Kishin në vitet e fundit të jetës së tij. Dhe nuk do të dija se ka ekzistuar një njeri i tillë. Nga rrëfimet për të, sado entuziaste që të jenë, nuk do të mund ta përfytyroja atë njeri me një vrushkull të tillë energjish. Kam përshtypjen se ai asgjësoi nga shpirti im çdo gjurmë të përhimësisë. Dhe më duket se ai vazhdon të më vështrojë sërish gjithandej: nga peizazhet, nga atmosfera përreth; të më futet befas në mendime, në mërzinë time, të më bëjë të qesh në çaste të vështira me një humor i cili merr përmasa gjithnjë e më të gjera kuptimore, ashtu si vallja e marrë ballkanase e kapjes “për gushe”, e cila shpreh dhembjen për fatin njerëzor në këtë botë të larme e absurde. /ExLibris/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark