×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Vatra” për hapjen e Ambasadës në Jerusalem: Kosova nuk ka kohë për humbur

    Insajderi
    04 March 2021 - 08:56

    Federata Pan-shqiptare në Amerikë “VATRA” thotë se po i ndjekë me vëmendje dhe shqetësim presionet që po i bëhen kandidatit fitues për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.

    Në reagimin e Vatrës thuhet se “urimi dhe thirrja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të pres në Izrael për të inauguruar Ambasadën në Jerusalem; përballë kundërshtimeve të ashpra të Turqisë, Palestinës si dhe të Lidhjes Arabe, apo dhe të Bashkimit Evropian, nuk kanë pse e konfuzojnë as ta frikësojnë Kosovën, qeverinë e pritshme të saj, institucionet shtetërore apo klasën politike”

    Vatra thekson se shteti i ri Kosovës nuk ka më kohë të eksperimentojë tërheqjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Washington nën kujdesin e Presidentit amerikan Donald Trump dhe të nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, më 1 shkurt 2021.

    “Bashkimi Evropian ka pas mjaftueshëm kohë për ta ndihmuar Kosovën në integrimin e saj, por ka zgjedhur izolimin e shtetit të ri, duke mos e lejuar as të udhëtojnë në Evropë qytetarët e Kosovës, siç ka bërë me agresorin e Kosovës, Serbinë, e  përkëdhelura e Brukselit”.

    “VATRA” e mirëkupton Kurtin në lëvizjet e  tij për të fituar kohë për t’u përballur me presionin e BE-së, por vonesa nuk është në favor të tij dhe qeverisë së pritshme, as të qytetarëve të Kosovës. Ishte pozitive deklarata e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës Kurti  se ‘… vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme’ dhe ‘mundësi e mirë për zhvillim’, ndërsa deklarata e 1 marsit 2021 gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar, se :’.. do ta shqyrtoj çështjen se në cilin qytet do të vendoset Ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem…’, krijon dyshime e mëdyshje. Vendime të tilla, natyrisht që duan kohë për t’u peshuar, por dita e mirë duket që në mëngjes. Washingtoni ka kërkuar qartazi që ambasada duhet hapur në Jerusalem. Atje është edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Administrata e re amerikane e dha “vizën” dhe fondet për qëndrimin e ambasadës amerikane në Jerusalem. Kaq mjafton”, thuhet në reagim.

    “Në dilemën të dëgjojë Amerikën, që i kërkon ta hapë ambasadën në Jerusalem, përballë Evropës kërcënuese: Jo në Jerusalem, por në Tel Aviv!- Kosova duhet ta peshojë me balancën e prakticitetit dhe diplomacisë se kujt do t’i thotë ”PO” dhe kujt’ JO”, por logjika dhe praktika diplomatike ndërkombëtare e shkarkon Kurtin nga përgjegjësia e PO-së sepse vendimin e kanë marrë paraardhësit e tij dhe së dyti- vendin se ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael i takon shtetit pritës dhe jo Kosovës.

    Kosovë, mos humb kohë! Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!”, thuhet më tej në reagim. 

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark