Këngëtarja me famë botërore, Mariah Carey vazhdon të kritikohet ashpër për dështimin që të përfundojë paraqitjen e saj në skenën e koncertit për Vitin e Ri, në “Times Square” të New Yorkut.
Në media amerikane, si CNN dhe Fox mbahen debate nëse Carey e ka humbur vokalin e fuqishëm që e karakterizonte karrierën e saj muzikore.
Mirëpo, Carey ka reaguar në “Twitter” duke iu thënë kritikëve se “jeta nuk shkon gjithmonë sipas planit”, raporton Reuters.
Gjatë paraqitjes në koncertin e Vitit të Ri në New York, ajo disa herë e ka ndërprerë performancën e këngës së saj, “Emotions” ndërsa menaxherja e Carey ka fajësuar organizatorët se nuk kanë pasur pajisjet e zërimit si duhet.
Gjatë paraqitjes është kuptuar se ajo ka bërë përpjekje të këndojë edhe “playback”, ndonëse edhe kësaj radhe ajo nuk ia ka dalë ta përfundojë paraqitjen deri në fund.