Këtë të dielë zhvillohet java e fundit në Superligën e Kosovës, ku vëmendja kryesore do të jetë në takimin Drita – Arbëria, takim ky i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për dy pjesët e tabelës, shkruan Insporti.
Drita, e cila është në garë për vendin e dytë në klasifikim, vend ky që garanton kualifikim në garat evropian, ka vetëm dy pikë më shumë se Ballkani që ndodhet në pozitën e tretë, ndaj tri pikët janë të domosdoshme për të siguruar plasman në Evropë.
Gjatë ditës së djeshme drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, ka takuar kryetarin e KF Arbërisë, Jahir Morina, në një takim joformal në një kafiteri të qytetit, vetëm pak ditë para takimit vendimtar të këtij sezoni në Superligë.
Insporti ka siguruar fotografi nga ky takim mes dy akterëve të klubeve të Superligës, i cili nuk është i zakonshëm duke ngritur dyshimet për një “bashkëpunim” të mundshëm mes dy klubeve.
Në një pronocim për Insportin, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi konfirmoi takimin duke thënë se takimi ishte për qef dhe i zakonshëm.
“Arsyeja e takimi ishte për pikë të qefit. Ne çdo ditë takohemi, unë nuk rri me muratorë por me njerëz të futbollit. Ishte takim i zakonshëm dhe kemi me u taku përsëri, bile edhe ditën e lojës ne do të jemi së bashku. Nuk e di pse po ju duket jashtë normales, ishte takim shoqëror” – u shpreh ai.
Arbëria ndodhet në pozitën e 8-të, pozitë kjo e cila e dërgon në barazh për rënie nga elita, ku deri tash ka grumbulluar 40 pikë, një më pak se Feronikeli i cili mban pozitën e 7-të në tabelë, pozitë kjo që garanton mbetjen në Superligë.
Këtë sezon nuk kanë munguar akuzat për kurdisje të takimeve, ku aludimet kryesore ishin tek ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Kosovës mes Llapit dhe Prishtinës, si dhe takimi mes Dritës dhe Prishtinës, takim të cilin Prishtina e fitoi në Gjilan me rezultatin 1-2.
Ballkani, klub i cili është në garë për pozitën e dytë që dërgon në garat evropiane, më herët gjatë sezonit, në faqen zyrtare të klubit kishte akuzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për kurdisje të rezultateve, duke bërë që kjo e fundit ta dënonte klubin nga Suhareka me 2 mijë euro gjobë.
Ballkani këtë fundjavë udhëton drejt kryeqyteti për të zhvilluar takimin ndaj Prishtinës, teksa Drita pret në shtëpi Arbërinë.
Të gjitha takimet luhen të dielën me fillim nga ora 15:00./Insporti.com/