×
  • Lajme
  • Lajme

    Vdes vajza e një polici, prokurorja nuk lejon ekspertizën mjekoligjore

    Insajderi
    14 April 2017 - 18:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një vajzë e moshës 17 vjeçare nga Rogana e Kamenicës dyshohet se është vetëvrarë sot në shtëpinë e saj.

    Insajderi ka zbuluar se Mediana Thaçi, ka vdekur si pasojë e shkrepjes së një plumbi nga një armë me leje që besohet se ka qenë e axhës së saj. E ndjera është vajza e një polici të Kosovës.

    Megjithëse, vajza ka vdekur në rrethana të paqarta si pasojë e gjuajtjes me armë, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Rabije Jakupi nuk ka lejuar që trupit të pajetë t’i kryhet obduksioni.

    Ajo, ka urdhëruar që trupi i të ndjerës t’i kthehet familjes për varri pa u kryer ekspertizë mjekoligjore.

    Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e të ndjerës. Rastin e ka cilësuar sipas urdhrit të prokurores, vetëvrasje.

    Zëdhënësi për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i ka thënë Insajderit se Policia e Kosovës ka pranuar një informatë rreth orës 11 e 25 se në fshatin Rogoqicë të Kamenicës ka ndodhur një incident me armë.

    Hashani ka thënë se kur njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se dyshohet për një rast të vetëvrasjes.

    “Policisë i është thënë nga familjarët se vajza ka vrarë vetën në njërën nga dhomat e shtëpisë. Familjarët e kanë gjetur të parët dhe e kanë dërguar me urgjencën emergjencë, por mjeku kujdestar vetëm ka konstatuar vdekjen e saj”, ka thënë Hashani.

    Zëdhënësi i Policisë ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve rajonale, njësia e forenzikës dhe prokurori i shtetit. Ai ka bërë të ditur se është gjetur një revole, dhe një gëzhojë. Arma është konfiskuar.

    Hashani ka konfirmuar se prokurorja ka urdhëruar që trupi i së ndjerës t’u kthehet familjarëve.

    “Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi t’u kthehet familjarëve pa u kryer obduksioni”, ka thënë ai.

    Se prokurorja nuk ka lejuar kryerjen e obduksionit e ka konfirmuar edhe drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

    “Ekipi ynë ka dalë në vend të ngjarjes për ta marrë trupin, por prokurorja nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Ekipi ka kërkuar nga prokurorja që ta nënshkruaj dokumentin që nuk po lejon autopsinë dhe një gjë të tillë e ka bërë. Ekipi është kthyer në Prishtinë”, ka thënë Gërxhaliu.

    Insajderi ka provuar të kontaktojë me prokuroren Rabije Jakupi por nuk është përgjigjur. Shefi i saj, Jetish Maloku, ka thënë se nuk di arsyet se pse prokurorja nuk ka lejuar kryerjen e obduksionit./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark