×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Vepra gjigante “Carmina Burana” e cila i dhuroi Prishtinës momente të paharrueshme

    Insajderi
    28 June 2022 - 20:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në një mbrëmje verore qershori, kantata mjaft e njohur “ Carmina Burana ‘’ nga kompozitori Carl Orff, pushtoi sheshin e Prishtinës!

    Kjo kryevepër erdhi për herë të parë në vendin tonë, për të lënë gjurmë tek secili që ishte i pranishëm dhe për t’u mos u larguar asnjëherë! ‘’ Carmina Burana ‘’ e dirigjuar nga dirigjenti i njohur japonez, Toshio Yanagisawa i cili është i njohur në kulturën tonë, i përcjelli dëgjuesitë me një varg të emocioneve nga më të ndryshmet që e rrënqethnin lëkurën e gjithësecilit!

    Një interpretim i fuqishëm dhe mjaft ekspresiv, një shfaqje artistike e pasuruar me tinguj të furishëm, me zërat që i jepnin eufori, na bënë të kuptojmë se çfarë kapaciteti të lartë të botës së artit mund të kemi ne.

    Toshio Yanagisawa/Foto: Arben Llapashtica

    Në një prononcim dhënë Gazetës Insajderi, dirigjenti Toshio Yanagisawa tha se “ Jam shumë krenar për Filharmoninë e Kosovës, punoj me Filharmoninë e Kosovës që nga viti 2007, dhe jam shumë shumë i vlerësuar me njerëzit e Filharmonisë së Kosovës”, u shpreh Yanagisawa.

    Plot 280 persona numëron ekipi madhështor i përbërë nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, Kori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Kori i fëmijëve “Okarina” dhe solistët Adelina Paloja, Arta Jashari – soprano, Safet Berisha – kontratenor dhe Xhemil Gjini – bas, e gjithë kjo e realizuar nën bashkëpunimin e institucioneve të Filharmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe partnerëve të tjerë.

    Kantata e njohur është kompozuar në vitin 1935-1936 nga Cart Orff dhe është  e bazuar në 24 poema nga koleksioni mesjetare Carmina Burana. Pjesë të së cilës kanë të bëjnë me shumë gjëra që ndodhin në jetën e secilit sot. Këto 24 poema janë seleksionuar dhe organizuar në libretto, më shumë në versionin latin.

    Kjo ngjarje kulturore duhet të jetë një pikë kthese për botën e artit në vendin tonë, dhe të jepet hapësira që në të ardhmën të kemi këso lloj shfaqje të magjishme me përmasa të larta!

    Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike e kulturore e Republikës së Kosovës si dhe nga stafi diplomatik ndërkombëtar i akredituar në Kosovë. Ndër ta, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministri i MKRS-së, Sejnur Veshall, dhe shumë personalitete e qytetarë që mbushën hapësirën e sheshit “Skënderbeu”.

    Foto: Arben Llapashtica

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark