×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëm një serb i akuzuar për vrasjen e 116 civilëve shqiptarë

    Insajderi
    20 April 2017 - 13:43

    Uji i përroskës që ndan përgjysmë fshatin Studime të Vushtrrisë e ishte skuqur i tëri me gjakun e 116 civilëve shqiptarë natën e 2 majit të vitit 1999.

    Forcat serbe kishin vrarë pleq, gra, fëmijë e burra të disa fshatrave të kësaj komune. Ata po strehoheshin në luginë për t’i ikur vdekjes. Por, vdekjen në mënyrën më të dhimbshme ua kishin sjellë forcat e Slobodan Milosheviqit.

    Viktimat dhe civilët tjerë kishin zbritur në fshat për të gjetur ushqim. Atyre u kishin mbaruar të gjitha rezervat që kishin në malet ngjitur me Shalën e Bajgorës. Kërkimi i ushqimit për këto viktima ishte shndërruar në njërën prej masakrave më të llahtarshme që kishin kryer forcat serbe.

    Gati 18 vjet pas kësaj masakre, një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë kundër një ish-rezervisti serb të Policisë në Vushtrri, që dyshohet se mori pjesë në këtë krim lufte kundër popullatës civile.

    I akuzuari i vetëm deri tash për këtë masakër është Zoran Vukotiq, i arrestuar vitin e kaluar në Mal të Zi dhe i ekstraduar në Kosovë për t’u përballur me akuzat për këtë krim.

    Ai akuzohet edhe për krime kundër shqiptarëve të kryera në objektet e Kooperativës Bujqësore në Vushtrri më ose rreth datës 2 maj 1999.

    Po ashtu, akuzohet se ka marrë pjesë në torturimin dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve në Burgun e Smrekonicës. Ky burg ishte shndërruar në një kamp përqendrimi për shqiptarët e arrestuar gjatë luftës.

    “Këto krime përfshijnë vrasjet brutale dhe të kundërligjshme, trajtimin çnjerëzor, shkaktimin e vuajtjeve të mëdha, aplikimin e masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimin e pasurisë, plaçkitjen dhe vjedhjen në shkallë të gjerë të pasurisë që ishte e pajustifikueshme”, ka njoftuar zyra për media e EULEX-it.

    Vrasjet në Studime të Vushtrrisë kishin vazhduar edhe pas natës së 2 majit. Varret e viktimave civile flasin edhe sot për krimet që kishin ndodhur në atë luginë./Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark