Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri ka dërguar në Prokurori kryetarin e komunës, Ferit Idrizi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dega e Vetëvendosjes ka njoftuar se kallëzimi penal ndaj kryetarit Idrizi është bërë për shkak të anulimit të konkursit për drejtor të shkollave.
“Grupi i Asambleistëve tanë në Kuvendin Komunal ka ushtruar Kallëzim Penal për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ndaj kryetarit të komunës z. Ferit Idrizi në lidhje me anulimin e konkursit për drejtor të shkollave. Ju rikujtojmë se për disa seanca me radhë kryetari dhe subjekti i ti politik me arrogancën e numrave dhe retorikës pamundësuan qfardo debati në lidhje me ketë çështje në seancat e kuvendit”, thuhet në postimin e LVV-së në Facebook.
Asambleisti nga Vetëvendosje, Refik Maloku tha se kryetari Idrizi ka shkelur ligjin me anulimin e këtij konkursi.
“NUK DESHTI DEBAT, VAZHDOJMË NË GJYKAT. Tri herë tentuam që të diskutohet dhe të sqarohet anulimi i konkursit për drejtorë shkollash, të trija herët kryetari Ferit Idrizi refuzoi”, shkroi Maloku.
Gazeta Insajderi ka raportuar më herët për anulimin e konkurseve për pesë shkolla fillore në Vushtrri nga kryetari Ferat Idrizi me arsyetimin se ‘Komisioni ka qenë i njëanshëm’./Insajderi.org/