×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Vetëvendosje mungon në komisionin për energji, do të ftohej për raportim Martin Berishaj

    Insajderi
    28 October 2022 - 13:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës ka dështuar të intervistojë kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahun, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Në mbledhje munguan deputetët e mazhorancës dhe një deputet nga LDK-ja.

    Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj tha se e kanë të pamundur ta mbajnë mbledhjen pa pjesëmarrje të mjaftueshme. Ai tha se vetëm deputeti Besian Mustafa ka dhënë arsyet e mungesës, derisa sipas tij ata të VV-së nuk kanë dhënë asnjë paralajmërim për mos pjesëmarrje.

    “Ne e kemi të pamundur me mbajt mbledhjen pa kuorum. Vetëm deputeti Besian Mustafa ka lajmëruar se nuk do të jetë i pranishëm, është jashtë vendit. Të tjerët nuk kanë njoftuar për mos pjesëmarrje”, tha ai.

    Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të punës së këtij Komisioni.

    “Sot dështoi mbledhja e këtij Komisioni Hetimor si rezultat i mospjesëmarrjes së deputetëve nga mazhoranca, Lëvizja Vetëvendosje. Mendoj se askush nuk duhet të jetë kundër zbardhjes së të vërtetës dhe hedhjes në dritë mbi të gjithë zhvillimet çka ka ndodhur gjatë asaj periudhe, pra të importit të energjisë elektrike. Në anën tjetër sot kishim për diskutim edhe një pikë të rëndësishme, ftesën për ambasadorin tonë në Kroaci, Martin Berishaj, që të vij dhe të dëshmojë para Komisionit për implikimet e tij të cilat ne kemi pretenduar gjatë kësaj krize energjetike, dhe çështje të tjera po ashtu lidhen edhe për ftesa për akterë të ndryshëm që kanë qenë të involvuar në këtë proces, e që me gjasë përfaqësuesit e mazhorancës po kundërshtojnë në vazhdimësi që t’i ftojmë”, tha Tahiri.

    Deputeti Tahiri theksoi se mazhoranca qëllimshëm nuk po dëshiron të zbardhen hetimet e opozitës. Ai tha se tha se sot pritej të përpilohej agjenda për ftesat e radhës, në mesin e tyre edhe për ambasadorin Berishaj.

    “Kjo periudhë dyshojmë që është shoqëruar me shumë afera korruptive. Kështu që i bëjmë thirrje edhe një herë Vetëvendosjes mos ta bllokojë punën e Komisionit hetimor. Besoj që në mbledhjen e radhës do t’i kemi prezentë edhe deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë që të marrim vendim kur do ta ftojmë ambasadorin Martin Berishaj që të jetë pjesë e këtij Komisioni… Sot pritej që të përpilohej agjenda për ftesat e radhës, në mesin e tyre është edhe ambasadori Martin Berishaj, në mesin e tyre është edhe ish-drejtori për monitorimin e ndërmarrjeve publike”, tha ai.

    Në rend dite sot ishte edhe intervistimi i Sylejman Hajdinit, ish-Drejtor Menaxhues-Kosova Thëngjill.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark