×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Villë afër liqenit të Ujmanit – Dyshime të forta se Radoiçiqi korruptoi ish-vartësin e Sveçlës

    Insajderi
    09 December 2022 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-drejtori i Policisë në veri, Nenad Gjuriq, i ka ofruar publikisht përkrahje Milan Radoiçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe në aktivitete të ndryshme që janë organizuar.

    Ndërsa ajo që nuk është ditur deri më tash, është se nga Radoiçiqi, Gjuriqi ka marrë dhuratë një vilë në Liqenin e Ujmanit (Gazivodës), thuhet në të dhënat e një institucioni të sigurisë së Kosovës, në të cilat Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.

    Ky liqen afër Zubin Potokut ndodhet në territorin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kurse vila e Gjuriqit ndodhet në anën serbe.

    Në bazë të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës – ku të gjithë zyrtarët duhet të raportojnë informacione për pronën që kanë – Gjuriq nuk ka deklaruar se posedon ndonjë pasuri të paluajtshme as në Kosovë e as në Serbi. E vetmja gjë që tregohet është se ai ka marrë një kredi për dhjetë vjet – me shlyerje në vitin 2021 – në shumë prej 30 mijë eurosh, “për të plotësuar nevojat familjare”.

    Gjuriq, ish-vartësi i Sveçlës në veri, ishte suspenduar nga detyra më 3 nëntor pasi kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.

    Suspendimin e Gjuriqit e rekomandoi më herët gjatë 3 nëntorit Inspektorati Policor i Kosovës, i cili tha se Gjuriq dyshohet për veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrje për rezistencë”.

    Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati thënë se refuzimi për zbatimin e vendimeve të institucioneve, paraqet një cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

    “Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, pati shkruar Sveçla në Facebook.

    Lexo edhe:

    Ndryshe, Radoiçiq që dyshohet se ia ka falë villën Gjuriqit kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e Brezovicës, i cili ka të bëjë me ndërtimet ilegale, ndërkohë që lidhet edhe me vrasjen ende të pazbardhur të politikanit të opozitës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018.

    Lexo edhe:

    Radoiçiq është bërë nënkryetar i Listës Serbe disa muaj pas vrasjes së Ivanoviqit.

    Përderisa ndaj tij është lëshuar urdhërarrest, ai, në fillim të korrikut, ka dërguar një mesazh nga veriu i Kosovës, duke thënë: “Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”.

    Radoiçiq, po ashtu, ka qenë i pranishëm në barrikadat që janë ngritur më 31 korrik në veri të Kosovës. Ai ka arritur t’i arratiset edhe Policisë së Kosovës disa herë, para arrestimit të mundshëm./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark