Deputeti nga radhët e “Grupi i Deputetëve të Pavarur”, Visar Ymeri, ka komentuar dënimin e Vojislav Seshel, i cili është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Hagës.
Deputeti Ymeri përmes një shkrimi në Facebook, ka kërkuar që Seshel të dënohet edhe për krime lufte të bëra në Kosovë.
Gjithashtu sipas Ymerit, dënimin e “kriminelëve serb do të duhej ta bëjë vetë shteti i Serbisë”
“Shesheli të dënohet edhe për krimet në Kosovë. Dënimi i Vojislav Sheshelit nga Tribunali i Hagës është një lajm i mirë për viktimat, por i pamjaftueshëm. Ky dënim ridëshmon përgjegjësinë e tij politike dhe të Serbisë shtetërore, në krimet kundër njerëzimit dhe në spastrimet etnike, në Ish-Jugosllavi. Paramilitarët çetnikë të Sheshelit me njësitet e tjera fashiste të së djathtës ekstreme të Serbisë ishin herë pjesë përbërëse dhe herë partnere të policisë dhe ushtrisë zyrtare serbe edhe për krimet, pastrimet dhe dëbimet në Kosovë; e jo vetëm në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë. Shesheli dhe frymëzuesit, urdhënësit dhe kryerësit e krimeve kundër njerëzimit në hapësirat ish-jugosllave nga Serbia duhen të dënohen para së gjithash nga gjyqësori serb. Përballja me të kaluarën e Serbisë mbetet nevojë dhe domosdoshmëri. E vonuar, kjo përballje do ta mundësonte pajtimin e nevojshëm dhe bashkëpunimin e domosdoshëm rajonal”, ka shkruar Ymeri./Insajderi.com