×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit rrit pasigurinë për pronën private

    Insajderi
    28 November 2016 - 23:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Siguria personale dhe e pronës së qytetarëve të Kosovës ka mbetur në plan të dytë, krahasuar me aspektet e përgjithshme të sigurisë për të cilat angazhohen në rend të parë autoritetet shtetërore, thonë ekspertët. Sipas tyre, autoritetet e rendit po merren më shumë me strategjitë nacionale për tentativat e mundshme të akteve të terroriste, sesa për një siguri më të madhe të përditshme të qytetarëve të vendit.

    Deputeti i Kuvendit Kosovës, Nuredin Ibishi [LDK], anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se për të pasur një siguri më të madhe për qytetarët në vend, policia duhet jetë më pranë tyre.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me komunitetin, por edhe me institucionet e tjera, duhet ta rris në nivel me të lartë aspektin e sigurisë personale dhe në veçanti edhe të pronës. Kemi polici të mjaftueshme, mirëpo policia duhet të jetë e orientuar në aspektin parandalues, por edhe në aspektin e zbulimit të rasteve. Nëse nuk zbulohen rastet, ato grupe, qofshin individë apo grupe kriminale, çfarë realisht janë shpeshtuar kohëve të fundit, mund të inkurajohen se ato nuk zbulohen”, tha Ibishi.

    Javën e kaluar, në shtëpinë e kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, persona të panjohur kanë hyrë dhe kanë vjedhur një telefon celular, edhe pse shtëpia ishte duke u ruajtur nga Policia e Kosovës.

    Policia ka thënë se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

    Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës është e përkushtuar në garantimin e rendit dhe ligjit, si dhe krijimin e kushteve për liri të lëvizjes së njerëzve dhe funksionimin normal të institucioneve në vend.

    “Pavarësisht incidenteve që mund të ndodhin, policia, me kapacitete e saj, është duke punuar intensivisht në minimizimin e rasteve apo të incidenteve që krijojnë pasiguri dhe në ketë kontekst policia ka arritur të jap rezultate konkrete në zbulimin e rasteve ku persona apo grupe kriminale janë sjell para organeve të drejtësisë”, tha Hoxha.

    Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit të shteti tregon më së miri se sa në Kosovë mungon siguria.

    “Vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit paraqet një prej skandaleve më të mëdha, ku vërtetë dëshmohet se mungon siguria bazike për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse kur një gjë e tillë i ndodh kryeprokurorit të shtetit, me prani të policisë 24 orë, atëherë çka mund t’i ndodh cilitdo prej qytetarëve”, tha Musliu

    Madje, Musliu i konsideron si patetike reagimet e Shoqatës së Prokurorëve dhe Këshillit Prokurorial në mbrojtje të kryeprokurorit të Shtetit. Sipas tij, derisa bëjnë thirrje për siguri dhe përkrahje për kryeprokurorin, ata duhet të punojnë për këtë gjë, sepse paguhen nga taksapaguesit për një gjë të tillë.

    Tutje, Musliu theksoi po ashtu se pas rastit të mos ofrimit të sigurisë së duhur për kryeprokurorin e shtetit, siguria në disa aspekte mund të kontestohen në vend.

    “Nëse dështon siguria për kryeprokurorin e shtetit, atëherë në çdo hallkë dhe në çdo segment siguria mund të kontestohet, sepse kjo flet për brishtësi dhe flet se kush do mund ta rrezikojë cilindo prej qytetarëve, e për më tepër edhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë”, tha Musliu.

    Ndryshe, vite më parë, hajnat patën hyrë edhe në shtëpinë e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, aktualisht president i Kosovës, ndonëse edhe shtëpia e tij ishte nën kontrollin e rojeve të sigurisë.

    Si pasojë e vjedhjeve të shpeshta në Kosovës, shumë qytetarë kanë bërë kontrata me kompani të ndryshme që ofrojnë siguri për objekte.

    Mirëpo, pavarësisht kësaj, deputeti Nuredin Ibishi thotë se policia duhet të vazhdojë të kryejë punën e saj për të ofruar siguri.

    “Policia i neglizhon rastet [kur kanë ndodhur rastet e vjedhjeve]. Policia hetuese në të gjitha nivelet nuk i ndërmerr veprimet e duhura të zbulimit dhe kjo krijon një precedent të ndjeshme që inkurajon akterët e veprave penale që të vazhdojnë dhe të rrisin edhe trendin në rritje të këtyre veprave penale”, tha Ibishi.

    Qytetarët kanë mendime të ndryshme, kur flasin për sigurinë. Florie Kosumi thotë se në përgjithësi nuk ndihet shumë e sigurt, si në rrugë ashtu edhe në shtëpi.

    “Jo nuk ndihem shumë e sigurt. [Mendoj] se gjithkund duhet të ketë siguri më të madhe, kudo ku jemi dhe ku dalim. Siguri duhet të ketë për ne dhe fëmijët”, tha Kosumi.

    Kurse, Turkane Tyrbedari- Hashani tha se në përgjithësi ndihet e sigurt.

    “Absolutisht jam dhe ndihem e sigurt. Kudo në Evrope ndodhin raste të ndryshme të vjedhjeve, por te ne nuk janë të shpeshta. Unë për vete jam e sigurt”, tha ajo. (REL)

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark