×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Vokrri për nënshkrimet e Prishtinës dhe Ulpianës: Janë valide, FFK ka dërguar ftesën te Rrahman Haradini

    Insajderi
    23 March 2022 - 22:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vokrri ka sqaruar se nënshkrimet e Prishtinës, Kikës dhe Ulpianës janë valide, pasi janë edhe nënshkrimet e klubeve të cilët ata përfaqësojnë.

    Sipas tij, delegatë të Prishtinës janë Rrahman Haradini dhe drejtori sportiv, Artan Osmani.

    “FFK e ka dërguar ftesën të Rrahman Haradini dhe Artan Osmani, e jo te Remzia. Remzi Ejupi nuk është dashur që të dërgojë email privat. De-Fakto FFK i ka pranuar nënshkrimet. Salihu ka dhënë dorëheqje prej dhjetorit të vitit të kaluar. Nënkryetari i klubit është zotëria në fjalë (Bujar Shabani) është edhe nënshkrimi i klubit. Njerëzit janë gjallë, kanë emra dhe mbiemra“, deklaroi Vokrri, transmeton Insajderi.

    Sipas FFK-së, nënshkrimet e delegatëve të klubeve (FC Prishtina, KF Kika dhe KF Ulpiana) nuk janë valid.

    FFK sot publikoi vendimin e Komisionit, i cili ka verifikuar të gjitha nënshkrimet e delegatëve të klubeve. Komisioni i FFK-së rreth aplikimeve pranoi kandidaturën e Agim Ademit dhe refuzoi atë të Gramoz Vokrrit, i cili sipas Komisionit të FFK-së për aplikimet e kandidaturave, ka pasur probleme me disa nga nënshkrimet e prezantuara.

    “Komisoni ka konstatuar se janë deponuar katër nënshkrime nga FC Prishtina në mbështetje të Gramoz Vokrrit për t’u kandiduar për Kryetar të FFK’së. Dhe ka gjetur se në shkresa të lëndës së deponuara me datë 16.03.2022 nga Gramoz Vokrri së bashku me kërkesën e tij janë edhe dy fletënënshkrime, ku në fletënënshkrimin që mbanë datën 5 mars 2022 shihet se Rrahman Haradini dhe Artan Osmani e kanë mëbshtetur Gramoz Vokrrin, kurse në fletënënshkrimin që mban datën 15 mars 2022 shihet se Fikret Maçastena dhe Rrahman Haradini e kanë mbështetur Gramoz Vokrrin. Meqë Komisoni ka konstatur se prej një anëtari të FFK’së janë deleguar gjithsej 4 nënshkrime në mbështetje të një kandidati për kryetar të FFK’së, si dhe një person i njëjtë Rrahman Haradini ka deponuar dy nënshkrime për kandidatin Gramoz Vokrri” – njoftoi FFK.

    Kështu, LRFP konstatoi se delegatë të ligjshëm dhe të regjistruar në Kuvendin e FFK’së nga radhët e FC Prishtinës janë Fikret Maçastena dhe Bajram Sheifi, ndërsa Artan Osmani dhe Rrahman Haradini nuk janë delegatë të ligjshëm dhe se njoftimi për ndërrimin e delegatëve nuk është për në përputhje me aktet e brendshme dhe statutin.  

    Delegatët e klubeve përkatëse zgjedhen nga kuvendi i klubit, ndërsa tek Prishtina ky kuvend nuk është mbajtur tash e një kohë.

    Shumë herë ka pasur polemika mes dyshes Haradini dhe Ejupi se cili është aksionar më i madh tek FC Prishtina, të cilët e dëmtuan kandidatin për kryetar të FFK’së, Gramoz Vokrrin.

    Ejupi ka thënë se klubin në dy vitet e fundit financiarisht e ka udhehequr Haradini dhe se është larguar nga drejtimi i klubit.

    Mirëpo për t’u larguar nga pozita e presidentit, duhet të mbahet kuvendi i klubit, i cili përbëhet nga aksionarët e klubit. Dhe për t’u votuar largimi i Ejupit, duhet pëlqimi i gjithë bordit.

    Pra, praktikisht Remzi Ejupi është ende president i klubit të Prishtines.

    Kështu kryetari aktual Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm edhe për një mandat tjetër në krye të shtëpisë së futbollit kosovar.

    Kujtojmë se, më 2 mars, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shpalli zgjedhjet për kryetar të cilat do të mbahen më 6 prill.

    Ndryshe, në garë për të parin e FFK’së ishin edhe Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti të cilët u tërhoqën për ta mbështetur kandidaturen e Gramoz Vokrrit.

    Gramozi, është djali i legjendës së ndjerë Fadil Vokrri. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark