×
  • Lajme
  • LifeStyle
  • Lajme / Kosovë

    “Vrasje, shitje, dhunim”, Si janë trajtuar gratë nga burrat në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit

    Insajderi
    08 March 2023 - 14:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Marrë parasysh faktin që sot shënohet “Dita Ndërkombëtare e Gruas”, redaksia e Gazetës Insajderi ka vendosur të ju prezantoj me disa nga parashtresat e kodit juridik të shqiptarëve, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, në të cilat specifikohen mënyrat se si duhet të trajtohet gruaja dhe vajza shqiptare.

    Ai për herë të parë ishte botuar në Shkodër në vitin 1993, dhe ka shërbyer si udhëzim për të drejtat zakonore në Shqipërinë Veriore, duke përfshirë edhe trevat shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. 

    Normat e mbledhura në të pasqyrojnë (pa)barazinë e raportet e diferencuara socio-ekonomike ndërmjet banorëve të këtyre zonave, marrëdhëniet shoqërore të rendit gjinorë dhe (pa)barazinë gjinore.

    Bazuar në të, gratë dhe vajzat duhet trajtuar si jo të barabarta me burrat dhe djemtë, si robëresha të tyre, si individ me të drejta minimale për vetën e saj e gjetkë.

    Kanuni i Lekë Dukagjinit

    Për shembull, në pikën e 28-të të saj, thuhet “M’u martue më kanun do’me thanë m’u ba shpi, me i a shtue shpis nji rob ma teper, sa per krah të punve, sa per të shtuem të fmive”, pra sipas Kanunit gruaja që martohet është një rob shtesë në familjen e bashkëshortit, e cila ka për detyrë të punojë, e që barra e shtimit të familjes bie mbi të, pra miti “Gruaja nuk po i bën fëmijë” duket se buron nga nen ku vetëm gruas i atrubuohet “faji” i fëmijës së (mos) lindur.

    Ose, në pikën 31, ku specifikohet e drejta e individit për të vendosur me kë do të martohet, thuhet se “Vajza, edhe në mos pasët prindt, ajo s’ka tager me mendue per Martes të vet, tagri asht në dorë të vllazenve a të kusherijve”.

    Pra, në këtë rast ajo në asnjë rrethanë nuk ka të drejtën të vendos për vetën e vet, duhet një burrë që të vendos për jetën e saj, në krahasim me një djalë që ‘’Ka tager me mendue per martes të vet, po s’pat prind’’.

    Gratë shqiptare me veshje kombëtare

    Pos saj, “Gruaja  ka për detyrë me ruejtë nderen e burrit; me i rrogue pa zhibla; me i ndejë nen sundim; m’u pergjegjë detyrve të kunorës; me rritë e me mkambë fmin me nderë; me i ndejë gadi me të veshmen e të mathmen (kah e qepmja); mos me iu perzie në fejes të të bijve e të të bijave”.

    Thënë shkurt e shqip, ajo duhet t’i nënshtrohet bashëshortit, t’i shërbejë  për punët e shpisë, t’i rrisë fëmijët por pa pasur të drejtë fjale për ta.

    E nëse kjo grua ka vajzë që donë të martohet, procedurat janë këto “Në fejesë të lirë asht kanu qi të shkoje shkuesi e i ati – a i vllaj – i djalit te prindja e vajzës, per me çue shejin në natë të dame. Të himit n’anë, shkuesi do të perpushë zjarmin, para se të lypë vajzen; si t’a perpush zjarmin, flet. Si të ketë hanger darkë, i ati i dhandrrit do t’i apë shkuesit në dorë si paret, si shejin”, do me thënë prapë duhet leja e burrave për t’i “marrë” një burri (duhet të jetë babai ose vëllau) vajzën, e nëna nuk ka drejtë as të flasë për këtë temë.

    veshje kombëtare

    “Njatë herë kur t’i teket djalit, asht i lirë me lshue vajzen e xanun, porse sheji e gjithsa pare të ket la per vajzë i hupin; arsyeja asht: “kush e lshon vajzen nder unazë, kanuja a ban gjobë hem shejin hem paret sa të ket la per te. Para se ta lshojë vajzen djali, do të bajë me dije shkuesin e ky me dy shokë të katundit të djalit do të shkojë te prindja e vajzës, e nder sy të dy shokve të katundit të vajzës, u kallxon, se djali, qi e pat xanë vajzen e tyne, a’tue hjekë dorë, e janë lirë me ë martue njeti”, pra siç e patë burri i jepet e drejta që të bëjë çfarë të dojë me bashkëshortën.

    E, gruaja që do të ndahet me bashkëshorti, “natyrisht!!!” që nuk mund ta bëjë një gjë të tillë sepse po e  bëri ka pasoja për të ”Vajza e xanun nuk mundet me e lshue djalin edhe në mos e pasët per sy. Po s’ndegjoi vajza me shkue m’at fat, qi e ka xanë, e edhe prindja i perkrahen së bis, kjo s’mund të martohet ma per të gjallët e dhandrrit me tjeterkend. Kah kanuja, vajza jet e lidhun, e veç me leje të dhandrrit qi e pat xanë e per në hjekët dorë ky, se s’mund të martohet, e s’a’kanun qi të shkojë tjeterkush me e lypë, si të dijë se gjindet e pengueme. Edhe po e muer tjeter grue dhandrri vajza e xanun prej tij jet e lidhun se e lidhun. Me dekë të dhandrrit, kanuja e liron vajzen, e, po desht, mundet të martohet per arsye qi “me dekë të dhandrrit, sheji xehet i hupun”.

    Gruaja shiptare me veshje kombëtare

    Ndoshta ato që keni lexuar deri më tani e keni pasur të vështirë t’i besoni, por këto që do t’i lexoni në paragrafet në vijim mund të keni dëgjuar se vazhdojnë të ndodhin edhe sot e tutje.

    “Çmimi, qi nepej per varza a gra, tash 50 vjetë e andej, perbahej prej 50, 100, 200 mije 400 groshësh. Çmimi i kanus së vonë perbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues”, për vajzen që do të martohej duhej që familja e djalit të paguante një çmim, pra ajo shitej (shitet)“, thuhet në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

    E, edhe pse familja pasurohen  “në kurriz” të saj, ajo prapë se prapë nuk është e denjë për tu bërë trashëgimtare e pasurisë “Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi”.

    E, ndëshkimet për gruan nuk përfundojnë me kaq, “Po s’u pru grueja si duhet te burri, kanuja i nep leje me i pre thekun a flokun e me lshue. Kunora jet, e as burri as grueja nuk mund të martohen për të gjallët.Burri ka tager: me kshillue e me qortue gruen; me rrahë e me lidhë gruen e vet, kùr të mbrrîjë me i a perbuzë fjalen e urdhnit“.

    Këto janë vetëm disa nga parimet mbi të cilat janë trajtuar e vazhdojnë të trajtohen gratë dhe vajzat, që janë shumë të padrejta për tu pranuar e të dhimbshme sa s’ka! 

    Autore: Dijellza Preniqi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark