20:44 - 25 Maj 2022

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur për marrëdhëniet e vendit të tij me Rusinë dhe ka qartësuar si asnjë herë deri më tash, nëse vendi i tij do t’i vë sanksione Moskës zyrtare për agresionin që po e kryen në Ukrainë.

Vuçiqi tha se tash për tash nuk ekziston mundësia që t’i vihen sanksione Rusisë, raporton “B92” të mërkurën.

“Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Unë nuk e di se çfarë sjell jeta”, ka thënë ai në një adresim për media në Forumin e Davosit.

Vuçiqi ka folur edhe për presionet që sipas tij po i bëhen nga shtetet perëndimore për t’i vënë sanksione Rusisë.

“Ata (zyrtarët perëndimore v.j.) thonë se cila është ideja e tyre dhe çfarë presin. Por nuk mund të thonë ‘hajde vëni sanksione ose dilni nga këtu’. Nuk shkon kështu. Kështu ka mundur të ndodhë vetëm në kohën kur Serbia nuk ishte shtet”, tha Vuçiq, duke thumbuar edhe opozitën në Serbi.

Ai në vazhdimësi lavdërohet se me të në krye, Serbia nuk i gjunjëzohet askujt si deri më 2012 kur mori ai pushtetin.

Serbia është ndër shtetet e vetme në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë.