Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, i ka hedhur benzinë zjarrit të spekulimeve rreth transferimit të mesfushorit Ngolo Kante, kur e lavdëroi atë në një emision sportiv francez.
Mesfushori i Leicester Cityt është grumbulluar në kombëtaren franceze nga trajneri Didier Deschamps, dhe pritet të jetë njëri nga pikat kyçe të skuadrës kombëtare të vendit organizator të “Euro 2016”.
25-vjeçari ka një klauzolë liruese prej 20 milionë eurove dhe me shumë mundësi ajo do të paguhet nga ndonjë klub i madh evropian, duke parë paraqitjet e tij në sezonin që lamë pas me skuadrën angleze, Leicester.
“Më pëlqen dhe e admiroj Ngolo Kante-n”, tha Wenger për BeIN Sports. “Ai të jep përshtypjen se në secilin nivel më të lartë që luan, aq më e lehtë për të është”.
“Ai ka kualitete të pabesueshme. Ai e ndien lojën, vetëm pak njerëz mund ta bëjnë këtë. Ai është gjithmonë ku duhet të jetë”, tha Wenger i cili është me pushime në vendlindjen e tij.
Megjithatë, Kante ka mohuar çdo lidhje që i bëhet atij me ndonjë klub evropian, pasi ka thënë se do ta marrë një vendim vetëm pas “Euro 2016”. /Insajderi.com