Tifozët e Arsenal dhe Tottenham Hotspur janë tejet të emocionuar para ndeshjes së nesërme mes dy klubeve të zemrës së tyre. Por, siç duket edhe futbollisti shqiptar i cili luan për Zvicrën, Granit Xhaka është shumë i fokusuar për këtë ndeshje.
Pas stërvitjes së djeshme të ‘Topçinjve’ në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet teksa Granit Xhaka ishte në makinën e tij dhe u ndal për të biseduar me disa tifozë të klubit të Arsenalit.
Fillimisht ai bëri disa fotografi me ata, por pasta një tifoz e pyeti: ”Çfarë po bëjmë të enjten, Granit ? Çfarë do të bëjmë të enjten?” ndërsa mesfushori u përgjigj duke thënë: ”Ne nuk flasim, ne e bëjmë atë.”
Kjo përgjigje e Xhakës u përcoll pastaj me një brohoritje masive nga të gjithë tifozët që ishin aty, në momentin kur ai ishte duke u larguar.
Do të jetë vërtetë shumë interesante përballja e nesërme e dy skuadrave që janë duke luftuar me të gjitha forcat për pozitën e katërt, në mënyrë që sezonin tjetër të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve.
Aktualisht në vendin e katërt janë Arsenal me 66 pikë dhe me një fitore të mundshme nesër do ta siguronte edhe matematikisht, kurse skuadra e drejtuar nga Antonio Conte është në pozitën e pestë me 62 pikë.