Ylli kontrovers i rrjeteve sociale, Andrew Tate, u konvertua në islam. Video e tij duke u lutur në xhami është bërë virale në rrjete sociale, shkruan SportSkeeda.
Videoja është bërë në një xhami në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Çdo i krishterë që beson në të mirën dhe që është i vetëdijshëm për luftën e vërtetë kundër së keqes, duhet të konvertohet. Jini të durueshëm! Premtimi i Allahut është i vërtetë (Kur’an 30:60)”, shkroi Tate në platformën Gettr, duke konfirmuar se ka ndryshuar fenë.
Tates iu ndalua qasja nga Twitteri, Facebooku, Instagrami dhe TikToku në gusht për shkak të komenteve mizogjene. Ai deklaroi se gratë janë fajtore që dhunohen seksualisht.
Tërhoqi vëmendjen në vitin 2016 kur u përjashtua nga spektakli i Big Brother në Britani për një video ku ai sulmonte një grua. Pas përjashtimit, ai deklaroi se video ishte e montuar.