Golden Eagle Ylli ka barazuar serinë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll përballë Rahovecit. Skuadra e Yllit, të martën ka triumfuar ndaj Rahovecit në palestrën “Mizahir Isma” me rezultatin 70:62 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale.
Me këtë fitore, Ylli ka barazuar këtë seri në 1:1 kurse skuadra që realizon tri fitore do të kualifikohet në finale.
Për Yllin, kjo është fitorja e parë përballë Rahovecit në Superligë në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Elyjah Clark ishte më efikasi te skuadra e Yllit me 18 pikë të shënuara derisa me lojë të mirë, u veçuan edhe Erjon Kastrati (13), Valon Bunjaku (11) e Demetris Morant (11). Te skuadra e Rahovecit, vetëm dy lojtarë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Ed Daniel ishte më i dalluari me “double-double” prej 19 pikëve e 14 kërcimeve derisa Darrell Davis shtoi 14 pikë. Ndeshja e tretë, do të zhvillohet të premten në Suharekë, ku edhe do të bartet seria gjysmëfinale për dy duelet e ardhshme.