×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Zbutja e Kurtit dhe Konjufcës ndaj Asociacionit, qëndrimi amerikan dhe plani franko-gjerman

    Insajderi
    08 February 2023 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dyshja Kurti-Konjufca ka muaj që planin franko-gjerman e kanë proklamuar për bazë të mirë dhe të shëndoshë për negociata të mëtejme në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shkruan Insajderi.

    Ishte vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kohëve të fundit pas takimit me emisarin special të BE’së për Dialog, Miroslav Lajçak, shkroi se propozimi evropian ka pranimin e palës kosovare.

    Në atë plan njohje “de jure” nuk ka.

    Konjufa ishte prej të parëve që kishte shpaluar përmbajtjen në vija të përgjithshme të këtij plani, me ç’rast kishte shpjeguar se Serbia do të pranonte njohjen faktike të Kosovës, por vetëm nota formale e njohjes së ndërsjellë do të mungonte.

    Megjithatë, kjo marrëveshje, në njërën pikë flet për sigurimin e një niveli adekuat të vetëqeverisjes lokale për komunitetin serb të Kosovës, si dhe në një pikë tjetër kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshja të arritura paraprakisht në kuadër të Dialogut të Brukselit.

    “Vetëqeverisja adekuate” është lexuar vetëm si një eufemizëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, gjithashtu nënkupton zbatimin e këtij Asociacioni.

    Ishte për herë të parë gjithashtu kur Kurti javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, tha se Asociacioni është i bëshëm, por me gjashtë kushte.

    Gjashtë kushtet e Kurtit, megjithatë, mund të reduktohen në dy, ngase katër prej tyre nuk kualifikohen as të reja e as të tij.

    Që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe që të mos jetë monoetnik, është kusht i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Insajderi.

    Gjithashtu, kushti për shpërbërjen e strukturave ilegale është pjesë e Marrëveshjes së vitit 2013, dhe këto struktura u kthyen vetëm pas daljes së serbëve nga institucionet në pjesën veriore të vendit nëntorin e kaluar, dorëheqje kjo e cila rezultoi nga protestimi serb rreth vendimit të Kurtit për targat serbe.

    Gjithashtu, kërkesa e tij që Asociacioni është i bëshëm dhe i zbatueshëm pasi Serbia të tërheq “letrat”  te pesë shtetet e BE-së që të mos e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në strukturat evropiane, është po ashtu pjesë e Marrëveshjes së parë të Parimeve për Normalizim të Marrëdhënieve të vitit 2013.

    Kushte të reja, megjithatë, shënoheshin në kërkesën që Asociacioni është i zbatueshëm pasi Serbia të ketë njohur Kosovën (përveç nëse me njohje nënkuptonte njohjen faktike që buron nga plani franko-gjerman), si dhe reciprociteti në të drejtat e pakicave.

    Këto kushte, megjithatë, shënjuan zhvendosjen e parë të Kurtit nga qëndrim i i tij i ngurtë e i kahershëm se nuk do të ketë Asociacion të Komunave të banuar me shumicë serbe në Kosovë.

    Konjufca, gjithashtu, i cili para një viti deklaronte pa as edhe një mëdyshje se “Asociaicon nuk do të ketë ‘as kësi e as asi’”, me këtë duke mohuar se mund të ketë Asociacion as me kompetenca ekzekutive e as pa kompetenca ekzekutive.

    Megjithatë, Konjufca një vit më vonë mendon ndryshe. Një formë tjetër e Asociacionit duhet të gjendet, u shpreh hiç më larg se dje.

    Amerikanët dhe Asociaconi

    Çështja me me rëndësi që amerikanët duan të shohin të zbatohet është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është shprehur me dhjetëra herë muajve të fundit zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.

    “Është obligim ligjor. Prandaj edhe çfarëdo marrëveshje e ardhshme do ta përfshijë atë, dhe e përfshinë atë, plani aktual franko-gjerman e përfshinë atë”, tha para disa ditëshë ai.

    Esocbar tha se “në cilëndo rrugë para” që shkohet, “do të ketë Asociacion”.

    “Nuk është një marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Serbisë. Është marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës […] Kësaj nuk ka se si t’i shmanget”, tha Escobar në “The Pavlovic Today”.

    Kurti, nuk është se nuk pati përgjigje ndaj një formulimi të tillë nga Escobar. “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi fer”, tha ai në një intervistë për TRT World, derisa shtoi se “njëherë njohja e mëpastaj Asociacioni”.

    Koha për themelimin e këtij Asociacioni “është tani” ka thënë Esocbar, megjithë “kushtëzimet” e Kurtit, shkruan Insajderi.

    Pyetur nga Insajderi, nga zyra për media e Departmanetit amerikan të Shtetit, nuk i kanë komentuar kushtet e Kurtit, derisa janë shprehur decividisht se “nuk kemi çfarë të shtojmë nga deklarimi ynë më 31 janar”, kjo duke iu referuar shkresës së përbashkët Chollet-Escobar se “koha për themelimin e Asociaciomi është tani”.

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, hiç më larg se sot tha se ajo “duhet të implementohet absolutisht” me ç’rast edhe shtoi se është realiste dhe arsyeshme që ajo të themelohet këtë verë ose brenda këtij viti.

    “Të jini të sigurt se nuk do të ketë marrëvexhje tjera pa u zgjidhur Asociacioni”, kishte thënë ai në dhjetor për Tv Insider.

    Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar zhvilloi një takim me përfaqësuesit politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile ku u diskutua për modalitete të mundshme për Asociacionin.

    Këtij takimi i parapriu një draft-Statut nga instituti gjerman Friedrich Ebert Stiftung rreth asaj se si do të dukej në letër një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe.

    Plani franko-gjerman që u pranua nga Kosova

    Plani evropian i cili u shpall si plan i njëzet e shtatë shteteve të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pranuar nga të dyja palët se kornizë e re e negociatave të mëtejme.

    Në këtë plan megjithatë, kërkesa themelore e Kosovës për njohje të ndërsjellë juridike nuk gjendet. Serbisë nuk i kërkohet njohja, por i kërkohet të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial si dhe të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtae.

    Përmbajtja e saj ndonëse nuk është bërë e ditur, Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, ditë më parë tha se 90% e drafteve që kanë qarkulluar nëpër media janë të vërteta.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur mosbesues ndaj këtij plani, kritika e tyre duke qenë kryesisht se aty nuk ka njohje, si gjëja kryesore për Kosovën.

    “Planin frank0-gjerman kështu siç është nuk do ta pranonte asnjë shqiptar”, kishte thënë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte sfiduar publikisht Kurtin të del e të tregojë se a ka njohje de jure./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark