
Përparim Kryeziu shquhet si zëdhënësi i Qeverisë që gati asnjëherë nuk iu përgjigjet pyetjeve të mediave.
Rasti i fundit ka ndodhur sot, kur Gazeta Insajderi i ka shkruar Zyrës së Kryeministrit për ta marrë një konfirmim mbi atë se kur Albin Kurti e ka pranuar planin final franko-gjerman, dhe se çfarë përmban ai, por si zakonisht, kabineti i të parit të Qeverisë nuk ka kthyer përgjigje.
Por, duke anashkaluar transparencën në zyrën ku ai punon, Kryeziu, gjatë tryezës së rrumbullakët me temën “Barometri i transparencës së Qeverisë dhe Ndërmarrjeve Publike”, tha se Zyra e Kryeministrit është në dijeni për mangësinë e transparencës nga ana e institucioneve.
Sipas Kryeziut, Zyra e Kryeministrit e respekton në përpikëri çështjen e publikimit të dokumenteve, edhe ato në gjuhën serbe, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sa i përket çështjes së publikimit të dokumenteve edhe në gjuhën serbe është pozitive se Zyra e Kryeministrit e respekton këtë në përpikmëri. Mendoj se një standard i tillë përveç se kërkesë ligjore, duhet të jetë edhe gatishmëri e secilit institucion”, tha Kryeziu.
Sipas tij, lidhur me mospublikimin e dokumenteve nga institucionet tjera, tashmë Zyra e Kryeministrit ka ndërmarrë hapat e parë, për adresimin e shqetësimeve sa i përket përkthimit të dokumenteve.
“Zyra e Kryeministrit tashmë ka ndërmarrë hapat e parë për themelimin e njësisë se përkthimit e cila në fund të muajit të kaluar ka mbajt edhe takimin e parë të grupit punues, e që kryesohet nga komisioneri dhe së shpejti do ta ketë edhe takimin e radhës ashtu që sa më shpejtë të procedohet kjo si nismë, e që për qëllim ka pikërisht adresimin e këtyre shqetësimeve sa i përket përkthimit në njërën anë, po në të njëjtën kohë edhe realitetin e përkthimit të dokumenteve zyrtare”, tha ai.
Tutje, sipas Kryeziut të njëjtit janë të vetëdijshëm për këtë mangësi dhe po punojnë që të adresojnë të njëjtën sa më shpejtë që është e mundur.
Ai tha se në Zyrën e Kryeministrit nga janari i këtij viti e deri më sot kanë pranuar 91 kërkesa për qasje në dokumente publike, nga të cilat sipas tij 86 kanë marrë përgjigje, 2 janë refuzuar dhe 3 janë në proces.
Përgjigje për Gazetën Insajderi është e vërtetë se Zyra e Kryeministrit ka dhënë vetëm kur janë bërë kërkesa për qasje ne dokumente publike, por jo edhe kur janë çuar pyetje specifike për ndonjë temë./Gazeta Insajderi/