Presidenti i KF Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka shprehur mllefin e tij pas humbjes së skuadrës së tij, duke aluduar se janë dëmtuar nga gjyqtarët anësor duke lejuar golin e dytë të Drenicës nga pozita jashtë loje, raporton Insporti.com.
Numri një i ’89-shit ka lëshuar një deklaratë të fuqishme në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, duke deklaruar se është i gatshëm të ballafaqohet edhe me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të folur për të gjitha gjërat në futbollin e Kosovës.
Zeka ndër të tjerash ka zbuluar edhe një detaj se si e ka ndihmuar Agim Ademin të bëhet i pari i futbollit në vendin tonë, duke mos e lejuar që të udhëtojë për në Rusi në kampionatin botëror “Rusia 2018”.
Sipas tij, ende pa e futur në varr Fadil Vokrrin, është tentuar që të pengohet Ademi për karrigën e presidentit të FFK-së.
“Kur të është i gatshëm Agim Ademi, ulem, asnjë sekondë në futboll nuk e ka më shumë se unë. Krejt dallaveret. Hala pa e shti në varr Fadil Vokrri, Ademin e kanë nisur për në Rusi, i është bërë gropa, por unë e kam shpëtuar, kam qenë njëri i parë që e kam shpëtuar”, ka deklaruar Zeka, transmeton Insporti.com.
Fadil Vokrri më nëntë qershor të vitit 2018 pas një sulmi në zemër kishte humbur jetën.
Agim Ademi është pasardhësi i Fadil Vokrrit duke marrë pozitën e kryetarit të FFK-së.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i FFK’së, ishte mbajtur pothuajse një muaj pas vdekjes se legjendës, Fadil Vokrri, që mbante pozitën e presidentit të FFK-së..
Më 58 vota pra nga 61 delegat, Agim Ademi mori drejtimin e FFK-së.
Presidenti Zeka në këtë paraqitje televizive po ashtu ka deklaruar se KF Prishtinës i janë vjedhur dy tituj nga vendimet e gjyqtarëve dhe se e di krejt Kosova për këtë ngjarje.
Ai ka qenë kritik edhe ndaj gjyqtarëve anësor Edmond Zeqiri dhe Fatmir Sekiraqa për vendimet e tyre gjatë ndeshjes Drenica – Trepça ’89 (2:0). /Insporti.com/