×
  • Lajme
  • Lajme

    Zënkë e re mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt

    Insajderi
    16 December 2018 - 22:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Miratimi i rezolutës dhe ekipit për dialogun që u propozua nga PSD-ja, ka nxitur përplasje të reja mes deputetëve të kësaj partie dhe Vetëvendosjes, që dikur ishin bashkë.

    Një debat “virtual” ka shpërthyer së fundi ndërmjet kryetarit të VV-së, Albin Kurti, dhe dikur partnerit të tij të afërt, Dardan Molliqaj, tash deputet i PSD-së.

    Ishte Kurti që shkroi në facebook se të larguarit nga VV-ja, më nuk do të mund të marrin asnjë pozicion.

    Madje zyrtarët e PSD-së i quajti “bandë kaskaderësh”.

    “Pjesëtarët e grupit negociator, deputetët që e inicuan atë, sikurse edhe vetë presidenti e kryeministri, janë në mandatin e fundit të tyre, e të cilin e kanë të pamundur ta çojnë deri në fund. Nuk do të mund të bëhen më president, kryeministër e ministër i jashtëm, dhe as kryetar komune e deputetë (këta që dolën nga VETËVENDOSJE!). Ky është mandati i fundit i tyre. Andaj po sillen ashtu siç janë, si një bandë kaskaderësh”, shkroi në facebook Albin Kurti.

    Por reagimi i Dardan Molliqajt nuk vonoi. E quajti “megaloman” Albin Kurti, duke theksuar se ai po e dëshmon në vazhdimësi “paranojën”

    “Që gjithë kjo ushtimë është e orkestruar nga vetë kryetari i VV-së dhe megallomania e tij e tregon postimi i tij i fundit në të cilin e dëshmon paranojën e tij që kinse të gjithë qenkan nën një jorgan që punon kundër dëshirës së tij për të ardhur në pushtet dhe e sjell në pah kompleksin e tij hyjnor se kinse ky po e ditka kush do të bëhet deputet apo kryetar komune”, shkroi Molliqaj.

    Tutje tha se bashkëpunimi i VV-së me LDK-në e kanë si qëllim vetëm ardhjen në pushtet.

    “Dëshira e VV për të qenë së bashku me LDK-në zgjidhja e problemit, që e bëri të pashmangshme rezolutën e PSD-së, tregon veç që qëllim nuk e kanë zgjidhjen e problemit, por ardhjen në pushtet. Ardhjen në pushtet duke i përdorur shkaktarët e problemit si vegël dhe Isa Mustafa duke e heshtur vazhdimisht faktin që ai e bëri Thaçin President po përpiqet t´ia lehtësojë Albin Kurtit bashkëpunimin me të, për mos të thënë përdorimin apo shfrytëzimin e tij dhe për ta hutuar opinionin publik ata vazhdojnë dhe ushtojnë”, shkroi Dardan Molliqaj.

    Ndryshe ditëve të fundit ka pasur edhe akuza e kundër-akuza tjera mes zyrtarëve të dy partive.

    PSD-ja në njërën anë e ka quajtur VV-në të etur për pushtet, e këta të fundit kanë thënë se partia e Shpend Ahmetit po bëhet pjesë e pushtetit. /Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark