×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Zgjedhjet në Veri dhe Asociacioni, Biserko: Beogradi po provon kësisoji të vonojë zbatimin e marrëveshjes

    Insajderi
    28 March 2023 - 17:11

    Javën e kaluar u konsumua afati përfundimtar kur Këshilli Qendror Zgjedhor mund të pranonte kandidaturat dhe certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Lista Serbe, si subjekti më i votuar në ato zona (me afro 90% të elektoratit) i bojkotoi ato për të dytën herë, duke e vënë sërish në pikëpyetje mundësinë e mbajtjes së tyre, shkruan Insajderi.

    Ndër dy kushtet që Lista Serbe i artikulon për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje pas dorëheqjes masive nga institucionet në veri në nëntor të vitit të kaluar, ata thanë se mbetet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe “tërheqja e të gjitha njësive speciale” policore të Kosovës nga atje.

    Asociacioni tashmë si i tillë ka qenë pjesë e marrëveshjes në Bruksel dhe Ohër, ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të nis “menjëherë” zbatimin e Nenit 7 ku parashihet dhënia “e një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës” bashkërisht me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    Pak para takimit të Ohrit, ishte vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili edhe sa mbase zgjedhjet në veri “mund të shtyhen” për në muajin qershor.

    Për Kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, kjo është veçse vazhdim i politikave penguese të Begradit. “Ashtu siç e kuptoj unë, duket se Beogradi është sërish duke i vazhduar politikat obstruktive”, tha ajo për Insjaderin. “Gjithashtu, duke vonuar sa më shumë që mundet zbatimin e zotimeve të bëra”, shprehet e bindur ajo.

    “Asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe, në të cilën po ngul këmbë Beogradi, nuk mund të formohet pa pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje”. Në këtë kontekst Biserko beson që është e nevojshme që “edhe njëherë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ushtrojnë presion”

    “Formimi i mekanizmit Mbikëqyrës dhe kapaciteti i saj (autoriteti) do të tregojë nëse normalizimi i marrëdhënieve do të ndiqet përnjëmend”, përfundon ajo./Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark