×
  • Lajme
  • Insajderi

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, shtatë parti politike dhe tri nisma qytetare kanë aplikuar për certifikim

    Insajderi
    16 January 2021 - 13:23

    Deri në mesditën e së shtunës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar për certifikim 10 subjekte politike. Bëhet fjalë për shtatë parti politike dhe tri iniciativa qytetare, me gjithsej 210 kandidatë.

    Kështu bën të ditur për KosovaPress zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili thekson se sot është dita e fundit e dorëzimit të listave me kandidatë për deputetë, të cilët pas certifikimit garojnë për ulëse në Parlamentin e Kosovës.

    “Deri në këto momente që po flasim, pra deri në mesditë, numri i subjekteve politike që kanë aplikuar është gjithsejtë 10 subjekte politike. Bëhet fjalë për shtatë parti politike dhe tri nisma qytetare. Numri i përgjithshëm i tyre është gjithsejtë 210 kandidatë”, thotë Elezi.

    Subjektet politike që kanë dorëzuar listat e tyre me kandidatë për deputetë, kryesisht janë nga radhët e komuniteteve.

    “Janë Partia Rome e Bashkuar e Kosovës me 33 kandidatë, pastaj Jedinstvena Goranska Partija me 16 kandidatë, Srpska Lista me 20 kandidatë, Partia balliste me 5 kandidatë, Social Demokratska Unija me 22 kandidatë, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës me 44 kandidatë dhe Lëvizja për Bashkëveprim me 35 kandidatë. Ndërkaq, nga iniciativa qytetare kemi Romani Iniciativa me 12 kandidatë, Ujedinjena Zajednica-Adriana Hoxhiq me 13 kandidatë dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës me 10 kandidatë”, shton Elezi.

    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi listat me emrat e kandidatëve për deputetë do të dërgohen edhe në pesë institucione të tjera përveç Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    “ Me qëllim të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme do të bashkëpunojë me institucione të tjera të cilat kanë rolin e tyre në procesin e certifikimit të kandidatëve. KQZ do të dërgojë listat në gjashtë institucione. Në Këshill Gjyqësor të Kosovës, në PZAP, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë. Kërkesë me qëllim për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Kjo kërkesë nga ana e KQZ-së do të bëhet më së largu deri me datën 18 janar, ndërkaq përgjigje nga këto institucione presim deri më datë 20 janar”, njofton Elezi.

    Më 1 shkurt do të bëhet hedhja e shortit të renditjes së partive politike në fletëvotim, ndërkohë që zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark