×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Zhvillimet e fundit në veri, Kurti edhe sot takohet me emisarin gjerman

    Insajderi
    28 May 2023 - 09:04

    Pas takimit që zhvilluan ditën e shtunë, sot pritet edhe një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Takimi mes tyre do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë, rreth orës 10:00.

    Emisari gjerman ka deklaruar se në takim me Kurtin kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, dhe tensioneve që ka pasur në veri.

    Sipas Sarrazin, veprimet e institucioneve kosovare të premten kanë qenë të gabuara.

    “Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin, e sidomos Kosovën dhe Serbinë për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhen poshtë për shkak të një budallallëku”, tha ai.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pas takimit ka deklaruar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës duhet të trajtohen si gjë normale

    “Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.

    Të premten grupe qytetarësh serbe u përplasën të premten me Policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

    Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark