Zhgënjim i madh te Real Madrid. Kampionët e Spanjës nuk ia dolën të siguronin një tjetër finale të Champions League me Zinedine Zidane në pankinë. Chelsea i dominoi në Londër, i mundi 2-0 dhe në finalen kundër Manchester City do të luajnë djemtë e Tuchel.
Trajneri francez i “Los Blancos” analizoi takimin e sotëm, komplimentoi ekipin kundërshtar dhe tregoi se çfarë nuk funksionoi sonte. “Chelsea e meritoi fitoren, ata luajtën më mirë se në të dy ndeshjet. Krijuam rast në minutat e para, por nuk shënuam dot dhe gjithçka u vështirësua.
Sigurisht që nuk jam aspak i kënaqur, por është e drejtë të njohim meritat e ekipit kundërshtar, ishin më mirë në dy ndeshje. Kemi hasur shumë vështirësi në këtë sezon, në kompleks jam i kënaqur me atë që kemi bërë në Champions League.
E ardhmja? Unë mendoj vetëm për të tashmen dhe ndeshjen e së dielës në kampionat (kundër Sevilla). Mungojnë edhe katër ndeshje deri në fund, por dua t’i komplimentoj djemtë e mi për çfarë kanë bërë deri tani. Futbolli ky është, Chelsea zhvilloi një ndeshje të bukur sonte“, theksoi Zidane.