×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Gëzim Aliu: “Zorba-njeriu i lirë”- ese

    Insajderi
    25 May 2023 - 16:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të jetosh si Zorba në këtë botën tonë moderne që lëviz shpejt, pa jetuar, pa përjetuar. A është e mundshme? Zorba përfaqëson njeriun që nuk e lejon veten të mërzitet. Ai nuk mundet nga jeta. Ai nuk e mund jetën. Ai thjesht i gëzohet jetës, edhe kur i dhemb e vuan. Është njeriu që dëshiron të jetojë një mijë vjet. E shpreh këtë dëshirë, sepse e di që soji i tij është i rrallë. Për këtë njeri të rrallë shkruan Kazanxaqisi, në romanin “Zorba”. Ky është roman për Njeriun e lirë. Një pyetje me dy pjesë pluskon vazhdimisht në roman: A është njeriu i lirë? dhe, a mundet të jetë njeriu i lirë?

    Bota jonë e sotme është bërë tepër serioze, tragjikisht serioze. Por, ky seriozitet është shndërruar në groteskë nga epoka e internetit, nga kjo epokë e spektaklit të pafund. Jemi duke bërë dy jetë: atë që e quajmë reale dhe atë që na jepet si reale në media, televizion, internet, rrjete sociale, lajme, video. Shumë njerëz, për të mos thënë shumica, kanë ngecur në rrjetet sociale, janë bërë robër të tyre. Ndoshta varshmëria ka arritur nivelet e drogimit masiv. Kemi harruar të jetojmë. Më të rëndësishme janë shëtitjet virtuale, se shëtitjet reale në male. Më të çmuara janë ‘miqësitë’ në facebook, se miqësitë e vërteta në kafene a oda të ndejës. Njerëzve po u duket se nëse nuk janë banorë të përhershëm të botës së rrjeteve sociale mund të zhduken nga jeta. Dhe, çfarë bëhet në këtë botë virtuale, në këtë rrokopujë? Kryesisht kemi bjerrje të kohës, sharje pa fund, komente pa kurrfarë përgjegjësie, shitmendje, është vërshim i madh, që po ngufat shoqërinë. Do të ishte mirë që njerëzit të shkoqeshin pak nga rrjetet sociale e të jetonin. Jeta reale është jashtë tyre. Dhe, jeta është me të vërtetë e tepër e shkurtër që ta humbim në to. Rrjetet sociale janë krijuar që dikush të pasurohet. Jam i bindur që krijuesit e tyre nuk kanë llogari në to.

    Mund të pyesni: Po, mirë, por çfarë e lidh Zorbën me këto konstatime? Aleksis Zorba ia bën vazhdimisht një akuzë narratorit, pra vetë shkrimtarit, lidhur me botën e librave, i thotë që ato nuk thonë gjë për jetën. Narratori është njeri i shkollës, i dijes, i librave dhe pothuajse çdo gjë që di për botën e jetën e ka prej leximit. Por, ai nuk ka jetuar. Nuk ka përjetuar. Nuk ka ndier. Është një njeri i mpirë nga teoritë e mendimet e të tjerëve. Nuk është lëshuar në pellgun e tmerrshëm e të bukur të jetës, ka qëndruar në distancë, vëzhgues, konstatues, pra, pak a shumë i padijshëm për të. Shkuarja e tij në Kretë mbase edhe pavetëdijshëm është synim i tij për t’u futur në Jetë. Rrugës e takon Zorbën, e kundërta e tij, një njeri që e ndihmon narratorin tonë të kuptojë se çfarë do të thotë të përfshihesh në gjëra reale. Takimi me të është bekim, Zorba e ndihmon të çlirohet, ose, më saktë, të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh i çliruar.

    Dhe, tash rrjedh vetvetiu analogjia mes librave të narratorit, ku ai është mbytur dhe televizionit e internetit të sotëm, ku jemi mbytur. Televizioni e interneti janë rezultat i shkollës, i dijes, i shkencës. Shkolla, dija, shkenca, i kanë krijuar televizionin e internetin. Pastaj, lindi paradoksi i madh. Televizioni, interneti, rrjetet sociale, lajmet, spektakli, tash janë duke e ngufatur shkollën, dijen, shkencën. Një pseudoteori mund të ketë shumëfish më shumë ndikim në shoqëri, madje ndikim tragjik, sesa teoritë shkencore të testuara me vite nëpër laboratorë. Pra, makinat e krijuara nga shkenca, kanë pjellë rreziqe të mëdha. Pse ndodh kjo? Këto gjëra, na është thënë, janë bërë që t’ia lehtësojnë jetën njeriut, ta bëjnë më të mirë, më të dijshëm, më të pasur, më tolerant. Pra, pse ndodh që prapë njeriu bëhet rob i krijimeve të veta, nuk i përdor ato vetëm për të mirën e secilit e secilës, për të mirën e përgjithshme pra? A është situata e sotme e njëjtë me situatën e narratorit të “Zorbës”, shkrimtarit, intelektualit, ëndërrimtarit. Ai është besimtar i librave, i teorive, i spekulimeve, pra një lloj fanatiku. Ashtu siç po i rrezikon sot interneti shumë njerëz, ashtu siç në fakt po i sëmurë me turli marrëzie, a mund të themi se edhe librat do të mundë ta kishin sëmurë narratorin tonë aq fort saqë të mos mundë ta jetonte jetën?! Kjo dilemë vjen si jehonë e përsiatjeve të Kazanxaqisit. Mendoj se një prej vlerave të mëdha të këtij romani është pikërisht shtrimi i kësaj çështjeje, artistikisht dhe filozofikisht. Por, a bën thirrje shkrimtari për t’i braktisur librat? Aspak! A po bëj unë thirrje t’i braktisim televizionin, internetin, rrjetet sociale? Jo! Ne nuk duhet të mbytemi në libra, librat duhet të mbyten në ne! Ne nuk duhet të mbytemi në televizion, internet, rrjete sociale, duhet të krijojmë frena efikasë për t’i ndaluar të krijojnë bindje të rrezikshme në mendjet tona. Freni më efikas është mendimi kritik, shqyrtues, dyshues, verifikues.

    Është një fjalë e urtë shkodrane: Më mirë i shetitun se i ditun. Zorba është i shëtitur, prandaj e njeh jetën. Narratori është i ditur, prandaj mendon se e njeh jetën. Unë mendoj se është mirë të jesh edhe i shëtitur, edhe i ditur, sepse kështu e krijon baraspeshën për ta shijuar jetën në plotëni. Por, mendon Kazanxaqis, të njohurit e jetës duke u përfshirë në të, është domosdo për ta njohur jetën edhe përmes librave. Për këtë arsye, jeta e Zorbës është shembull.

    Zorba është shembull të menduari të gjerë që sheh në tërësi tablonë e jetës e jo si i burgosur i ideve e bindjeve që krijohen copa-copa, më herët nga librat dhe tash edhe nga interneti, që i bëjnë njerëzit robër të kënaqur. Prandaj, nganjëherë është mirë ta marrim si shembull Zorbën, jetën e tij, ajo mund të shërbejë edhe si terapi. Si terapi ngadalësimi, për të shijuar përditshmërinë, gjërat që i quajmë të vogla, miqësinë cilësore, por edhe vetminë shëruese. Si terapi e reflektimit për jetën tonë, për të mirat që mund t’i kemi, por edhe për të këqijat. Zorba është njeri që e pranon veten. Është njeri i dhembshur. Është njeri që ka hequr dorë nga idetë e ideologjitë, për të qenë i lirë. Ai është njeri i lirë nga gjithçka dhe jeton në këtë mënyrë, i lidhur pashkëputshëm me tokën, natyrën, pra jetën e vërtetë. Sot, tash, përjetësisht.

    Zorba, Njeriu i lirë, nuk vdes në shtrat. Vdes në këmbë, duke qeshur!

    (Ese e lexuar sot (25/05/22) në promovimin e përkthimit në gjuhën shqipe të romanit “Zorba”, të shkrimtarit grek Nikos Kazanxaqis, organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Zyra Ndërlidhëse Greke në Prishtinë. Përkthimin e romanit drejtpërdrejt nga greqishtja e ka bërë përkthyesi e studiuesi, Stavri Dajo.)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark