×
  • Lajme
  • Lajme

    “Zv/kryeministri është inteligjent, unë nuk jam sa ky” – Hoti ironizon me Bislimin për shifrat ekonomike

    Insajderi
    14 October 2022 - 13:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    ‘’Zv. Kryeministri është shumë inteligjent. Mundohet me i interpretu me inteligjencën e tij, por unë i shoh shifrat. Unë s’jam inteligjent sa është ky”, kështu ka ironizuar Avdullah Hoti me Besnik Bislimi kur folën për shifrat ekonomike.

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka analizuar gjendjen ekonomike në vend, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Ai ka shpalosur madje statistika sipas të cilave, përshkruajnë negativisht ekonominë kosovare.

    Hoti thotë se është zvogëluar importi me Shqipërinë, ndërsa është rritur ai me Serbinë, përcjell Insajderi.

    “Nëse shihen importet vetëm me vendet e regjionit, po e marr vetëm muajin gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit paraprak keni me e pa që nga Shqipëria janë zvogëluar importet për 10% por nga Serbia janë rritë me 30%. Edhe ju keni me thënë këtu që është ekonomi e hapur, Kosova ka ekonomi të hapur, ka ekonomi të tregut, në rregull pro ka pasur ekonomi të tregut edhe ku i keni përmbysur kamionët me mallra që vinin nga Serbia”, tha Hoti në seancën e sotme të kuvendit.

    Ai ka thënë se në bazë të raportit Kosova po importon më shumë se vitin e kaluar në të gjitha mallrat pa përjashtim.

    Sipas tij, kjo i vë në pikëpyetje deklarimet për rritje të madhe ekonomike të prodhimit vendor apo ato për 40 mijë vende të punës.

    “Thellimi i deficitit tregtar, në bazë të këtyre të dhënave të Agjencisë të Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritë për 150 milionë por importet janë rritë me 800 milionë dhe kjo e ka çuar deficitin tregtar në 3 miliardë që është rritje për 56% krahasuar me vitin paraprak dhe besoj që këtu ja keni thyer një rekord vetës se kështu po i interpretoni këto çështje”, ka thënë ai.

    Në këto deklarata të deputetit Hoti, është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    Bislimi ka thënë se me këto shifra Hoti po dezinformon dhe se kjo duhet të ndalohet.

    “Dua të dekonstruktoj një mit që po qarkullon se gjoja Qeveria e Kosovës nuk po i shpenzon paratë dhe po i ruan. Situata siç është sot është se të hyrat buxhetore deri tash janë 1 miliardë e 940 milionë euro apo 12.1% më shumë se vitin e kaluar ku të hyrat buxhetore kanë qenë 1 miliardë e 739 milionë euro”.

    “Shpenzimet buxhetore këtë vit janë 1.1 miliardë euro. Sot një vit në thesarin e Kosovës kemi pasur mjete 702 milionë euro ndërsa sot kemi 697 milionë euro. Pra kemi më pak. Është mirë me i ndalu deziformatat. Në tetë muajt e parë të vitit 2022 kemi rritje prej 26% në import dhe 30% në eksport”, deklaroi Bislimi.

    Një kundërpërgjigje e shpejt erdhi edhe nga Hoti. Ai duke ironizuar, tha se zvkryeministri është shumë inteligjent.

    ‘’Zv. Kryeministri është shumë inteligjent. Besoj që i kupton krejt rrethanat edhe mundohet me i interpretu me inteligjencën e tij, por unë i shoh shifrat. Unë s’jam inteligjent sa është ky. Shifrat tregojnë që ky ia ka thy rekordet vetes’’, tha Hoti. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark