​RrGK kundër uljes së dënimit për Nuhi Mavrovqanin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    ​RrGK kundër uljes së dënimit për Nuhi Mavrovqanin

    Insajderi
    05 October 2021 - 16:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thotë se me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit për të ulur dënimin e përjetshëm në 25 vjet për Nuhi Mavrovqanin, i cili në korrik të vitit 2020 vrau bashkëshorten e tij S.M me shufër metalike.

    Kjo vrasje sipas RrGK-së, shkundi edhe një herë realitetin e secilës prej nesh që përpiqemi çdo ditë që dhuna dhe vrasjet ndaj grave të marrin fund.

    “Vrasja e S.M fatkeqësisht edhe një herë dëshmoi se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës. E megjithatë, kur vrasësi u dënua me burgim të përjetshëm në dhjetor të vitit 2020 nga Gjykata Themelore në Gjilan, u duk sikur drejtësia bëri një pjesë të punës së vet, duke e dënuar kriminelin, edhe pse jo duke e parandaluar krimin. Mirëpo, sot përsëri po dëshmojmë se kur flasin për vrasjet e grave, drejtësia po mbyll sytë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

    Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK i bën thirrje Gjykatës Supreme si instancë më e lartë se ajo e Apelit që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe dënimin ta kthejë në atë paraprak, pra në dënim me burgim të përjetshëm.

    “Vetëm kështu ne do të bindemi se vendi ynë, institucionet e drejtësisë e ato të mbrojtjes janë në krye të detyrës sa herë që trajtohet dhuna e vrasjet e grave”, vijon komunikata.

    RrGK thotë se nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark