Një tërmet i fuqishëm prej 6.2 ballë të Rihterit goditi sot Kroacinë, epiqendra e të cilit ishte afër Petrinjes, por u ndie fuqishëm në të gjithë vendin.
Skenat e para nga Petrinja janë të tmerrshme, gjysma e qytetit është shkatërruar. Dëgjohen britma, ka të plagosur dhe të vdekur. Sipas informacioneve të fundit, një vajzë 12-vjeçare ka humbur jetën në Petrinje dhe një djalë 20-vjeçar afër Glinës.
“Një djalë 20-vjeçar nga Majske Polane vdiq, shtëpia e tij u shemb”, konfirmoi për mediumin kroat 24Sata nënkryetarja e Komunës Glina, Branka Bakshiq Mitiq.
Të paktën 20 vetë u plagosën në Sisak, dy prej tyre rëndë. Një fëmijë ka humbur jetën në Petrinje, konfirmoi kryetari i Petrinjës Darinko Dumboviq. Bëhet fjalë për një vajzë 12-vjeçare. Ky informacion u konfirmua edhe nga policia.
“Është si Hiroshima, nuk e kam gjysmën e qytetit. Tani jam përpara një vajze të vdekur që vdiq, po presim ndihmë,” tha Dumboviq për televizionin kroat HRT. Vajza vdiq në qendër të qytetit.
“Qyteti është shkatërruar, nuk mund të jetosh më në të. Fatkeqësi, nënat qajnë për fëmijët e tyre. Ne kemi nevojë për ndihmë, kemi nevojë për shërbime të urgjencës,” tha ai.
Rrugët e Petrinjes janë plot me rrënoja, një numër i madh ndërtesash janë dëmtuar dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuarit, njoftoi televizioni N1.
Të gjitha brigadat e zjarrit në dispozicion nga Zagrebi janë duke udhëtuar për në Petrinje, ku shërbimet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë nisur kërkimet në rrënoja për të mbijetuarit eventualë.
Një baba dhe fëmijë u nxorën nga një ndërtesë rezidenciale shumëkatëshe dhe u dërguan në spital me një ambulancë. Në këtë kohë është e panjohur se çfarë dëmtimesh kanë pësuar.
Sizmologu Kreshimir Kuk deklaroi se tërmeti midis Sisak dhe Petrinje ishte 6.2 ballë sipas Riter dhe se energjia e lëshuar ishte rreth tridhjetë herë më e fortë se ajo që ndodhi në muajin mars në Zagreb.
Duke folur për televizionin N1, Kuk tha se tërmeti nuk ishte befasues dhe shtoi se ata besonin se kjo ishte goditja më e fortë.