×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Me shpejtësi deri në 177 km/h, arrestohen 7 shoferë

    Insajderi
    27 July 2021 - 20:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia rrugore vijon me kontrollet në rrugët urbane dhe interurban në të gjithë Shqipërinë, me në fokus shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, duke u kthyer në rrezik për jetën e qytetarëve, si dhe ka bërë bilancin për 24 orët e fundit.

    Nga kontrollet e kryera në të gjithë vendin, duke përdorur mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

    Po ashtu, policia njofton se janë pezulluar 44 leje drejtimi, nga të cilat 33 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 177 km/h në aksin Tiranë-Durrës) dhe 11 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 1.02 mg/l).

    Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2051 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht:

    321 për parakalime të gabuara, 312 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 223 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit, 265 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë etj.

    Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 198 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.

    Janë ndëshkuar me masë administrative nga Policia Rrugore e Tiranës, falë edhe denoncimeve të drejtuesve të automjeteve që qëndrojnë në radhë, 267 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës.

    465 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të këmbësorëve.

    Policia Rrugore vijon me apelin për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse./tch

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark