3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri, sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.
Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.
Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Kjo do të aplikohet në të gjithë vendin, ndërsa do të parandalojë edhe mundësinë për votim të dyfishtë.
Votuesi shqiptar do të duhet që të identifikohet duke e kaluar kartën e identitetit ose pasaportën biometrike tek pajisja. Kjo pamundëson edhe votimin numër të dikujt tjetër. Në momentin që shenja e gishtit nuk përputhet me kartën e identitetit, atëherë pajisja do të lëshojë edhe një sinjal akustik që do të alarmojë të gjithë komisionerët në vendvotim.
Për herë të parë në Shqipëri do të jetë edhe votimi elektronik. Ky do të jetë një projekt-pilot vetëm në një zonë zgjedhore e cila përkon me njësinë administrative nr. 10 në Tiranë. Në të gjitha zonat e tjera të votimit në vend do të zbatohet votimi dhe numërimi manual.
Tjetër risi do të jenë kamerat në çdo qendër votimi. Kamera me rezolucion të lartë do të instalohen në çdo qendër votimi. Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.
Ndryshe nga Kosova, të prekurit më COVID nuk do të kenë mundësi që të votojnë. Kodi Zgjedhor në Shqipëri kërkon që votuesi të paraqitet fizikisht në qendrën e votimit dhe nuk parasheh ekipe mobile.
Në këto zgjedhje do të votohet sipas sistemit proporcional me konkurrim rajonal, por duke përcaktuar një prag të ri kombëtar. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar prej 1% të votave.
Ndryshe nga Kosova që është një zonë zgjedhore, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore që përkojnë me ndarjen territoriale të qarqeve dhe në secilën prej këtyre zonave është e përcaktuar një numër i caktuar mandatesh. Numri i deputetëve për çdo qark zgjedhor përcaktohet në përpjesëtim me numrin e banorëve të tij dhe në këtë mënyrë çdo deputet përfaqëson një numër të përafërt qytetaresh në të gjitha qarqet.
Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mandateve ku partitë luftojnë për 36 ulëse. Qarku i Fierit ka 16 mandate, Durrësi dhe Elbasani me nga 14 mandate, Vlora me 12 mandate, Shkodra dhe Korça me nga 11 mandate, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës kanë nga 7 mandate secila. Qarku i Dibrës me 5 mandate, i Gjirokastrës me 4 dhe i Kukësit me 3 kompletojnë 12 zonat zgjedhore dhe 140 ulëset në Kuvendin e Shqipërisë.
Risi në këto zgjedhje janë edhe e ashtuquajtura listë e hapur e kandidatëve. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore. Më konkretisht, renditja e kandidatëve në listën e partisë ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara, por jo më shumë se 10 mijë vota.