Ardi Veliu tha se është krenar për punën e bërë prej tij dhe efektivëve të Policisë së Shtetit në 4 vitet e drejtuara prej tij në Shqipëri.
Në fjalën e tij në ceremoninë e dorëzimit të detyrës te drejtori i ri, Gledis Nano, Veliu renditi arritjet e Policisë nën drejtimin e tij, si menaxhimi i krizës së tërmetit, protestave apo pandemisë.
“Arritëm të menaxhonim qindra tubime, që në momente të caktuara u bënë të dhunshme, duke lënduar dhjetëra efektivëve të policisë. Arritëm që të menaxhonim gjithë situatën e pandemisë, jam krenar për atë që ju dhe unë kemi bërë. Para se të dorëzoj detyrën dua të falënderoj kryeministrin e vendit tim, i cili nga dita e parë më ka mbështetur për të bërë këtë detyrë sa më mirë”, tha Veliu, shkruan A2.
“Falënderimi kryesor është për ju të nderuar kolegë, sepse Policia e Shtetit sot është shumë më mirë se dje. Pavarësisht se të verbuarit nga njëzetfishimi i çmimit të kanabisit në vend apo të shurdhuar nga 1 ton kanabis të bllokuar nga ju të nderuar kolegë, hedhin baltë mbi Policinë e Shtetit”.
Ditë më parë Ardi Veliu është shkkaruar nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri.
Por kush është është Gledis Nano i cili tani do të jetë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit:
Gledis Nano u emërua në detyrën e kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e policisë së shtetit.
Gjatë të gjithë karrierës Nano ka kryer detyra të ndryshme në polici ku ka pasur rezultate në zbulimin e ngjarjeve të rëndësishme.
Në vitin 2013 ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin.
Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranian nga Shqipëria.
Së fundmi në emër të të Qeverisë Amerikane, ambasadorja Yuri Kim i dorëzoi Gledis Nano, një certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global.
Në certifikatën e dorëzuar shkruhet “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.