×
Analiza

1.2 milion euro vlera e arit dhe gjësendeve me vlerë të sekuestruara në Kosovë e që ruhen në BQK

Insajderi
02 September 2022 - 15:56
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Mbi 200 mijë euro pasuri e ngrirë apo sekuestruar gjatë këtij viti janë marrë në menaxhim nga agjencia shtetërore. Por nuk ka pasur asnjë vendim të prerë nga gjykatat për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme gjatë këtij viti. Megjithkëtë, vlera e përgjithshme e pasurive të paluajtshme që janë konfiskuar me vendim gjykate dhe administruara ndër vite nga Agjencia është mbi 1 milion euro. Derisa 1.2 milion euro është vlera e arit dhe gjësendeve me vlerë ruhen në Bankën Qëndrore të Kosovës

Hapësira e depos qendrore të agjencisë dhe hapësirat e qendrës korrektuese në Smerkonicë nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, për pasurinë e sekuestruar dhe atë të konfiskuar me vendim gjykate.

Megjithatë, “po mundohem që hapësirat që janë dispozicion të shfrytëzohen maksimalisht”, tha për Gazetën Insajderi zv/drejtori i kësaj Agjencie, Enver Krasniqi.

Kjo agjenci që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në të cilën janë të punësuar 24 zyrtarë, gjatë tetë muajve të këtij viti, ka sekuerstruar pasuri në vlerën e mbi 200 mijë eurove.

“Vlera e pasurive te sekuestruara gjate këtij viti kap shumën rreth 215,571.11€”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, gjatë këtij viti agjencia ka pranuar në administrim pasuri ku përfshihen mjete transporti si kamionë, vetura etj, pajisje elektronike, para të gatshme e gjëra të tjera.

Përveç këtyre të sekuestruara janë edhe pajisje të teknologjisë, ku përfshihen telefonat, kompjuterët, llaptopa, TV, monitor etj, shkruan Gazeta Insajderi.

“Vlera e vlerësuar për pajisje të teknologjisë (telefona mobil, shtëpiza kompjuteri, llaptop TV, monitor etj) është rreth 14,346.55€”, tha Krasniqi.

Sipas zv/drejtorit Enver Krasniqi, se fundmi kanë pranuar edhe dy lëndë që lidhen me pajisjet teknologjike.

“Ndërsa dy lëndë pranuar se fundmi janë në proces të vlerësimit”, tha ai.

Përveç në hapësira e depos qendrore të agjencisë dhe hapësirat e qendrës korrektuese në Smerkonicë, pasuria e sekuestruar ruhet edhe në një vend tjetër.

Ari dhe gjerat e tjera me vlerë të madhe, ruhen në Bankën Qendrore të Kosovës, vlerën e të cilit për Insajderi e tregoi Krasniqi.

“Vlera e arit dhe gjësendeve me vlerë që ruhen në Bankën Qëndrore është rreth 1,278,527.43€, tha Krasniqi.

Sekuestrimi apo pasuria e ngrirë sipas ligjit nënkupton marrjen e pasurisë nga organet, apo perosnat e caktuar dhe administrimin e tyre deri në një vendim të formës së prerë nga gjykatat.

Rreth 30 mijë euro pasuria e konfiskuar këtë vit

Konfiskimi nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë nga shteti sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi.

Gati 30 milionë euro është vlera monetare e të gjithë pasurisë që është konsifiskuar vetëm gjatë këtyre muajve të fundit me vendim gjykatash.

“Gjatë këtij viti (2022) janë pranuar vendime për konfiskim në vlerë rreth 29,974.29 €”, tha Krasniqi.

Në mesin e tyre, janë edhe 18 mjete transporti.

“Janë gjithsej 18 mjete transporti të ndryshme, vetura, kombi, rimorkio”, tha ai.

I pyetur nga gazeta se sa prej mjeteve të transportit të konfiskuara janë shitur e sa kanë mbetur, Krasniqi tha se “Janë edhe një numër i vogël i veturave të konfiskuara por jemi në pritje për dhënje në shfrytëzim institucioneve shtetërorë, në bazë të kërkesave të tyre. Sepse tjerat i shesim përmes Ankandit Publik”.

Gjatë këtij viti, Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar nuk i ka shkuar asnjë vendim përfundimtar për konfiskim.

AAPSK administron pasurit e konfiskuara me vendim gjykate, por gjatë këtij viti (2022) nuk kemi pranuar ndonjë vendim për përfundimtar për Konfiskim”, tha Krasniqi.

Megjithatë u bë e ditur vlera e përgjithshme e pasurisë së paluajtshme ndërvite.

“Vlera e përgjithshme e pasurive të paluajtshme që është konfiskuar me vendim gjykate dhe administruara ndër vite nga Agjencia është rreth 1,025,835.50€”, tha Krasniqi.

Por çka ndodhë zakonisht me pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara?

Sipas zv/drejtorit Enver Krasniqi, këto pasuri që janë në dorën e tyre administrhen sipas asaj çka vendosë gjykata.

“Ne pasuritë e paluajtshme të sekuestruara i administrojmë varësisht nga udhëzimet e vendimit gjyqësore. Nga kjo rrjedhe se nëse gjykata vendosë për ta lëshuar me qira apo në objekt ka qiramarrës atëherë agjencia e administron qiranë”, tha ai.

“Te pasuritë e paluajtshme të konfiskuara jemi në pritje të plotësim ndryshimeve ligjore, (është ne fazën e konsultimeve paraprake Draft Udhëzimin Administrativ për Mënyrën dhe Procedurat e Shitjes dhe Dhënies me Qira të Pasurisë së Luajtshme dhe të Paluajtshme të Sekuestruar dhe të Konfiskuar), sa i përket mënyrës së administrimit të tyre: të shiten apo të jepen në shfrytëzim institucioneve shtetërore”, tha Krasniqi.

Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark