Përderisa në vend po festohej 28 nëntori, dita e flamurit, Qeveria Kurti duket se ishte e zënë duke dhënë tendere. Madje kontratat që u dhanë janë edhe ato njëburimore, që kapin vlerën e 1.7 milionë euro. Kontratat e tilla janë ngritur si problem për diskutim nga organizatat e shoqërisë civile që e monitorojnë prokurimin publik.
Kush dha “tenderë sekret” me 28 nëntor?
Me 28 nëntor, u nënshkruan disa tenderë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës. Vlera totale prej mbi 1.7 milion euro.
Ja disa nga shifrat që përbëjnë këtë skandal financiar (ka edhe tjera):
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror:1,200,000.00 euro
Ministria e Punëve të Brendshme:218,746.50 euro
Ministria e Infrastrukturës:288,418.14 euro
Agjencia Qendrore e Prokurimit:8,500.00 euro
Këto të dhëna i ka nxjerr në publik në “Facebook” të tij, profesori Artan Nimani.
“Madhësia e abuzimit është e qartë: një shumë kaq e madhe parash është angazhuar përmes procedurave të dyshimta pikërisht në një ditë kur vëmendja e qytetarëve është e përqendruar te festa kombëtare. Në vend që të përfaqësojë ndershmëri dhe përkushtim ndaj publikut, qeveria dhe institucionet vartëse kanë zgjedhur ta shfrytëzojnë këtë moment për të miratuar kontrata pa transparencë.
Procedura e negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës justifikohet vetëm në rrethana emergjente dhe të jashtëzakonshme. Por në këtë rast, nuk ka asnjë arsye të dukshme që të justifikojë përdorimin e kësaj praktike në një ditë simbolike si 28 Nëntori. Për më tepër, ky veprim dëmton thellësisht integritetin institucional dhe vlerat që duhet të mbrojë një qeveri në shërbim të qytetarëve të saj”, shkroi ai.