Një operacion i madh antidrogë ka nisur pak orë më parë në fshatin Derven të Krujës, ku raportohet se një sasi e konsiderueshme kanabis sativa në proces tharjeje është sekuestruar në disa magazina.
Burime për Top Channel bëjnë të ditur se sasia e sekuestruar është rreth një ton, por asnjë prej institucioneve të përfshira nuk ka dhënë ende një shifër zyrtare, pasi operacioni është ende në vijim.
E vetmja gjë që konfirmohet zyrtarisht është se deri më tani, në pranga kanë rënë 6 persona. Operacioni në fjalë është iniciuar pas informacioneve operative dhe më pas Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur menjëherë hetimin.
Të përfshirë në këtë operacion që ende vijon janë dhjetëra forca policie, të cilat janë duke vijuar kontrollet në të gjithë zonën ku është gjetur lënda narkotike.