10 subjekte politike dhe 64 kandidatë aplikojnë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, njofton KQZ - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    10 subjekte politike dhe 64 kandidatë aplikojnë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, njofton KQZ

    Insajderi
    11 August 2025 - 10:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dhjetë subjekte politike, prej të cilave dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur, kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikimin e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.

    Këto të dhëna janë bërë të ditura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka njoftuar se kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve.

    “Deri më tani, 10 subjekte politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur, kanë aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 59 për anëtarë të kuvendeve komunale”, njoftoi Elezi për EO, shkruan Insajderi.

    Sipas tij, në mbledhjen e radhës, KQZ do të shqyrtojë rekomandimet e përgatitura nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike dhe do të marrë vendime të veçanta për secilin aplikim.

    “Pasi ka pranuar këto aplikime, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka ndërmarrë hapat ligjorë për verifikimin e kandidatëve në bashkëpunim me institucionet e ndryshme shtetërore sipas përgjegjësive të tyre ligjore dhe ka përgatitur rekomandimet për certifikim. Në mbledhjen e radhës, KQZ do të shqyrtojë dhe do të marrë vendime të veçanta për secilin aplikim”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje dhe të përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në zgjedhje për kryetar komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark