Reis Fejzi, një djalosh i talentuar 10-vjeçar nga Gostivari, ka realizuar ëndrrën e tij duke udhëtuar në Madrid për të ndjekur ndeshjen ndërmjet Real Madrid dhe Las Palmas (4-1).
Por, kjo nuk ishte vetëm një udhëtim për futboll, pasi Reis kishte një objektiv të veçantë: të takonte yllin botëror, Kylian Mbappé.
Pas përfundimit të ndeshjes, kur arbitri vërshëlleu për mbylljen e saj, Reis u drejtua menjëherë drejt fushës.
Pavarësisht sigurimit, ai arriti të driblojë dhe të afrohet pranë Mbappé, me të cilin shkëmbeu disa fjalë. Ai i tha yllit francez se e admiroi shumë dhe ishte një tifoz i madh i tij.
Kjo përpjekje e guximshme e vogëlushit u shpërblye me një dhuratë të veçantë – një fanellë të Real Madridit, të cilën vetë Mbappé ia dorëzoi si kujtim nga ky takim i paharrueshëm.