
Deklarimi i deputetit Ilir Deda, se ceremonia e inaugurimit të Hashim Thaçit, president, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës afro 1 milionë euro, është cilësuar qesharak nga zyra e Presidentit, por ajo e ka proklamuar një shumë tjetër, që duket solide krahasuar me milionëshin.
Por megjithatë shuma zyrtare e dhënë nga këshilltari i presidentit, Andri Nurellari, nuk është edhe aq solide, kur kihet parasysh organizimi i një ceremonie që nuk e kërkon asnjë dispozitë ligjore as kushtetuese në vend.
E gjithë ceremonia e inaugurimit të presidentit Hashim Thaçi, e cila ka qenë e para e këtij lloji, ka kushtuar 100 mijë euro.
Thaçi kishte ftuar 1 mijë mysafirë, por vetëm dy prej homologëve të tij erdhën në këtë ceremoni. Presidenti i Shqipërisë dhe Presidentja e Kroacisë.
Ceremonia e cila në fokus pati fjalimin afro 40 minuta të gjatë të Thaçit, ka shpenzuar buxhetin e Kosovës, 100 mijë euro, sa gjysma e buxhetit vjetor të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Nurellari ka thënë për Zërin se në ditët në vijim presidenca do të del me raport zyrtar mbi shpenzimet e ceremonisë së inaugurimit të Thaçit.
“Me sa e di unë, janë tre institucione të ndryshme që kanë mbuluar shpenzimet dhe së shpejti dalin me një raport financiar. Por shuma 1 milion është qesharake, s’besoj se arrin as 1/10 e asaj shume”, ka thënë Nurellari./ Insajderi.com