
Kufiri në Maqedoni vazhdon të mbetet i mbyllur për refugjatët sirianë, të cilët të premten në mbrëmje iu kanë afruar së tepërmi kufirit së Shqipërisë me Greqinë.
160 prej tyre, kryesisht familjarë, janë strehuar nga qeveria greke në Konicë dhe si vendstrehim i tyre është zgjedhur shkolla e mesme e qytetit, i cili ndodhet vetëm 5 kilometra larg pikës kufitare të Shqipërisë dhe fshatit të Leskovikut.
Numri i tyre pritet që të shtohet në ditët e ardhshme në të gjithë fshatrat e Bashkisë së Konicës, ku do të shfrytëzohen për strehim shkollat e vjetra, magazinat e rezervave dhe çdo ndërtesë publike e lirë, njofton Top-channel.
Vetëm disa kilometra larg kufirit shqiptar refugjatët sirianë janë pajisur me harta të Shqipërisë dhe kjo mund të jetë një pikënisje për ta që eventualisht të kalojnë nga shteti shqiptar në vendet perëndimore.
Në zonën e Konicës ka një shtim të forcave të policisë, por kjo gjë nuk mund të thuhet për kufirin shqiptaro-grek. /Insajderi.com