Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka udhëzuar forcat e armatosur të Rusisë që ta fillojnë tërheqjen nga Siria.
Putin i ka thënë sot ministrit të mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, se forcat ushtarake ruse në masë të madhe i kanë arritur qëllimet e tyre në Siri.
“Prandaj unë e urdhëroj ministrin e mbrojtjes, që nga nesër, ta filloj tërheqjen e pjesës kryesore të kontigjentit tonë ushtarak”, nga Siria, tha Putin.
Ai mëtutje, ka shprehur shpresë se tërheqja e forcave ruse do të jetë stimulim për zgjidhje politike të konfliktit në Siri.
Para më se pesë muajsh, presidenti Putin, ka urdhëruar lansimin e operacionit ushtarak në Siri, që e ka forcuar aleatin e tij, presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.
Zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha se Assad është pajtuar me Putinin për tërheqje, e cila është shpallur në ditën e bisedimeve për paqe në Siri në Gjenevë të Zvicrës, të sponzorizuara nga Kombet e Bashkuara, ndërmjet palëve në luftë.