
Qyteza greke Konicë është mbushur tashmë me refugjatë të cilët kanë ngecur aty si pasojë e mungesës së lirisë së lëvizjes.
Fakti që kjo qytezë është vetëm 15 kilometra larg Shqipërisë, shumica e tyre po presin të dalin në Shqipëri, si rrugë më e shpejtë drejt kalimit në vendet evropiane, kryesisht Gjermani.
Por afro 200 refugjatë sirian që janë momentalisht në këtë qytezë kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë, do të duhet të presin deri në fund të javës, kur sipas medieve në Shqipëri, pritet që të hapen dyert për refugjatët sirian.
Top Channel raporton se dy qeveritë ajo shqiptare dhe italiane janë duke hartuar një marrëveshje nëpërmjet së cilës dy shtetet do të kontrollojnë bashkërisht kufijtë për t’u përballur me fluksin e refugjatëve që vijnë nëpërmjet detit.
Në ndërkohë sipas raportimeve të medieve shqiptare, kryeministri Edi Rama është duke diskutuar edhe me qeverinë greke që të hartojnë plane të përbashkëta për trajtimin e valës së refugjatëve.
TCH raporton se shumica e refugjatëve sirian të vendosur në gjimnazin publik të Konicës në zonën kufitare janë duke pritur që të dalin në Shqipëri e nëpërmjet Shqipërisë të shkojnë në Gjermani.
Pas tragjedisë së ndodhur në kufirin greko-maqedonas, ku tre refugjatë humbën jetë në përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, Shqipëria bëhet gjithnjë e më shumë një opsion për kalimin e tyre në rrugën drejt Evropës, të paktën për refugjatët që ndodhen në Konicë.