Autoritetet serbe kanë arrestuar sot tre policë të Kosovës, mirëpo kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë. Në mars të vitit 2012 ishin arrestuar dy policë kosovarë nga policia serbe. Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri ishin arrestuar në zonën kufitare me Kosovën, shkruan Insajderi.
Nga ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës kishin thënë se pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e kidnapimit ishin duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.
Nga ana tjetër, Ivica Daçiq atë kohë ministër i Punëve të Brendshme në Serbi, kishte thënë se të arrestuarit kishin më vete armë që sipas tij paraqiste “shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”, duke ju referuar marrëveshjes së 9 qershorit të atij viti të nënshkruar ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe NATO-s më të cilën iu dha fund luftës në Kosovë.
Për tre policët kosovarë të cilët u arrestuan sot nga policia serbe ende janë të paqarta rrethanat. Nga MPB e Kosovës thonë se ata ndodheshin në territorin e vendin tonë, ndërsa të kundërtën e thotë MPB serbe. Sipas tyre, policët kosovar janë kapur në Serbinë qendrore.
Që nga maji i këtij viti tensionet në veri të Mitrovicës janë rritur shkak i vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. /Insajderi