Një kompani norvegjeze do të investojë 30 milionë dollarë për të krijuar kushtet e nevojshme të mbjelljes së perimeve dhe zhvillimit të bujqësisë në shkretëtirën e Saharasë. Tani, një projekt ambicioz i teknologjisë së lartë mund ta bëjë shkretëtirën të lulëzojë sërish dhe të krijojë një ekonomi të gjelbër përgjatë procesi
Shkretëtira e Saharasë ishte njëherë e një kohë një peizazh i gjelbër plot bimë ekzotike dhe jetë të egër. Kjo përpara se një periudhë dramatike e ndryshimit klimatik të krijonte dunat e rërës sot
Tani, një projekt ambicioz i teknologjisë së lartë mund ta bëjë shkretëtirën të lulëzojë sërish dhe të krijojë një ekonomi të gjelbër përgjatë procesit
Sipërmarrja sociale norvegjeze, Projekti i Pyllit Sahara (SFP) po përgatitet për ndërtimin e një objekti prej 30 milionë dollarësh që shtrihet në 10 hektarë në Tunizi, ku shkretëtira mbulon 75 për qind të territorit. Projekti do të aplikojë teknologjitë më të fundit, do të rigjenerojë mjedisin, do të sjellë ujë dhe ushqim të freskët, si dhe do të hapë vende pune, shkruan Gazeta Shqip.
“Po përpiqemi të arrijmë një sukses të trefishtë”, thotë Joakim Hauge, drejtor i përgjithshëm i kompanisë për CNN-në. “Diçka që ka kuptim financiar, por që sjell edhe përfitime shoqërore dhe mjedisore.”
Zgjidhje të frymëzuara nga natyra
SFP ka zhvilluar një model bazuar në përdorimin e burimeve që janë të bollshme për të krijuar produkte, të cilat nuk gjenden lehtësisht. Ky parim do të reflektohet në teknologjitë bazë të objektit tunizian.
Dielli i shkretëtirës do të përdoret për energji diellore për të ngrohur dhe ofruar elektricitet te zona. Uji i detit do të kalohet me tubacione për të ftohur serrat dhe për të lejuar kultivimin e të mbjellave me cikël njëvjetor. Ky proces bioimitues është frymëzuar nga kultivimi i brumbullit namibian.
Ujit të detit gjithashtu do t’i hiqet kripa për ta ndarë më pas në ujë të pastër dhe kripë. Lagështia në serra do të përdoret për të shtuar zhvillimin e jetës bimore jashtë ndërtesës, me shpresën e rigjenerimit të një ekosistemi më të gjerë.
Metodat mund të duken si ëndërr me sy hapur, por një model pilot ia doli me sukses në Katar të prodhonte perime në një normë të krahasueshme me fermat europiane dhe filloi të shumëfishonte me shpejtësi produktet. Një gjë e ngjashme po ndërtohet edhe në Jordani.
Hauge thotë se efikasiteti është përmirësuar, pasi grupi ka mësuar t’ua përshtatë modelin kushteve të veçanta, shkruan Gazeta Shqip.
“Ne kemi mësuar më shumë rreth vlerës së njohurive lokale”, thotë ai, duke shtuar se projekti tunizian do të mbështetet në talentin vendas për sa i përket fuqisë punëtore nga pozicionet që kërkojnë aftësi të mëdha deri tek ato më tekniket.
Hauge shpreson që projekti dhe punonjësit vendas të frymëzojnë zhvillim në sektorin e rinovueshëm të shtetit.
Vendi dhe koha e duhur
Tunizia u përzgjodh si vendi i projektit më 9 tetor 2015, ditën kur një grup aktivistësh tunizianë u nderuan me çmimin “Nobel” të paqes për rolin e tyre në Revolucionin Jasminë në vitin 2011, që parapriu një tranzicion për në demokraci.
“Tunizia ka qenë gjithnjë interesante për kushtet e saj fizike”, thotë Hauge. “Zhvillimet politike e kanë bërë atë gjithnjë e më interesante për neve.”
Po atë ditë, SFP bindi Ministrinë e Jashtme norvegjeze që një Tunizi e re dinamike dhe me synimin për të ecur përpara do të ishte vendi ideal për projektin e tyre dhe siguroi fondet për këtë.
Qeveria tuniziane ka qenë gjithashtu mbështetëse, pasi ka kërkuar zgjidhje për të luftuar kërcënimet e klimës si thatësirat dhe përmbytjet. Tunizia së fundmi u zotua të marrë rreth 30 për qind të energjisë nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030, nga 1 për qind në vitin 2015.
Përveçse zgjidh një emergjencë, industria e energjisë së pastër gjithashtu ofron një pushim simbolik nga e shkuara. “Sektori i energjisë së rinovueshme mund të jetë i mirë për tranzicionin tonë ekonomik, pas suksesit në tranzicionin politik”, thotë Ammar Ben Lamine, ambasadori tunizian në Norvegji, një aleat kyç i projektit SFP.
Si bujqësia në mars
Pavarësisht suksesit të pilotit të SFP në Katar, ka dyshime nëse projekti mund t’i arrijë synimet e mëdha. “Problemet nuk janë të ndryshme nga bujqësia në mars”, thotë profesor Heribert Hirt, kreu i Qendrës për Bujqësinë në Shkretëtirë në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë “Mbreti Abdullah” në Arabinë Saudite.
“Mes problemeve më të mëdha në të gjithë rajonin e Afrikës Veriore dhe vendeve arabe janë stuhitë e rërës që mbulojnë vazhdimisht panelet diellore dhe futet nëpër makineri.”
Megjithatë, Hirt beson se SFP ia vlen të provohet dhe do të na mësojë se si transformohen rajonet e gjëra të papërdorura në tokë bujqësore.
Zgjidhja e problemit të shkretëtirave është bërë një sfidë globale, e cila është listuar mes synimeve të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm të shteteve anëtare. Përgjigjet për këtë sfidë përfshijnë “Murin e Madh të Gjelbër”, iniciativë e Unionit Afrikan.
SFP synon të rrisë shkallën e modelit që të ketë ndikim më të gjerë. Projekti në Tunizi dhe Jordani pritet të sjellë 4000 hektarë objekt pune dhe të punësojë 6000 njerëz. Sipas studiuesve, mendohet se çdo vit do të krijohen nga këto projekte 170 000 tonë prodhime.
Nëse plane të tilla sjellin fryte, Saharaja do të hyjë në një epokë të re gjelbërimi.