12 orët e para të pushtimit të Ukrainës, ushtria e Putinit pëson humbje të mëdha në betejat e para - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Aktuale

    12 orët e para të pushtimit të Ukrainës, ushtria e Putinit pëson humbje të mëdha në betejat e para

    Insajderi
    24 February 2022 - 18:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Trupat ukrainase kanë rrëzuar pesë helikopterë rusë, kanë shkatërruar dhjetëra tanke dhe kanë kapur të paktën 80 trupa në orët e para që kur Vladimir Putin urdhëroi forcat e tij të pushtonin Ukrainën këtë mëngjes.

    Ushtria e Kievit është shumë inferiore ndaj homologes së saj ruse me një sistem të mbrojtjes ajrore dhe forca ajrore që datojnë që nga epoka sovjetike, shkruan Dailymail.

    Por NATO dhe SHBA, megjithë vendosjen e ushtarëve në Rumaninë fqinje në muajt e fundit, e kanë bërë të qartë se nuk do të dërgohen trupa dhe e kanë lënë ushtrinë ukrainase ta ndalojë vetëm sulmin.

    Deri të enjten pasdite, betejat po vazhdonin në Kiev, përgjatë kufirit verior me Bjellorusinë, në Luhansk dhe Donetsk në lindje dhe rreth Khersonit, lumit Dneiper dhe qyteteve Odessa dhe Mariupol në jug.

    Pak presin që Ukraina të dalë fitimtare nga ajo që është pothuajse e sigurt se do të jetë një luftë e zgjatur, e përgjakshme dhe e egër – por deri më tani, forcat e Kievit kanë arritur të shkaktojnë humbje të rënda mbi trupat e Putinit, shkruan Dailymail.

    Daily Mail ka përmbledhur humbjet që i kanë shkaktuar Rusisë forcat ukrainase:

    Të paktën 15 tanke T-72 u shkatërruan ose u dëmtuan në lindje të vendit këtë pasdite nga forcat ukrainase duke përdorur Javelin PTRK, një raketë amerikane antitank.

    Forcat ukrainase kanë pohuar se kanë qëlluar nga ajri të paktën katër helikopterë sulmues rusë KA-52 Alligator gjatë një beteje për bazën ajrore Gostomel. Një helikopter i pestë (në foto) u detyrua të bënte një ulje emergjente në fushë nën zjarr të fortë.

    Një imazh i kapur pranë Kievit tregoi rrënojat e një helikopteri sulmues rus të rrëzuar me një ushtar që del me parashutë prej tij.

    Dy ushtarë rusë – që besohet të jenë Rafik Rakhmankulov, 19 vjeç dhe Mgomd Mgomdov, 26 vjeç, nga Kizilyurt, raportohet se janë kapur nga forcat ukrainase në lindje të vendit.

    Në anën tjetër, Rusia i ka shkaktuar dëme më të mëdha Ukrainës, pas sulmit që i bëri mëngjesin e sotëm e që kanë vazhduar edhe gjatë ditës.

    Forcat ruse kanë hyrë edhe në Çernobil dhe luftimet kanë shkatërruar impiantin për mbajtjen e mbetjeve bërthamore sipas një këshilltari të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

    Deri tani është raportuar për disa persona të vdekur e disa të tjerë të zhdukur.

    Theksojmë se pas sulmit nga Rusia, Ukraina ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet./Reporteri/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark