Roger McNamee e nisi karrierën në Silicon Valley në vitin 1982. Ishte një investitor i hershëm në Facebook si dhe këshilltar i Mark Zuckerberg. Ai është autori i bestsellerit të New York Times – “Zucked: Waking up to Facebook Catastrophe”. Në një editorial për Time, ai thotë se Facebook nuk mund të vetërregullohet, flet për dështimin moral të Mark Zuckerberg për të kërkuar më shumë fitime mbi shërbimet e rreziqet e përdoruesve, si dhe një zgjidhje e ngjashme me FDA-në: Çdo gjë që ne bëjmë në telefon, çdo transaksion financiar, çdo udhëtim me prenotim online, çdo recetë dhe testi mjekësor, çdo veprim që e marrim dhe lidhet me internetin apo aplikacione të tjera, gjurmohet.
Roger McNAMEE
Pesë vite më parë nisa misionin për të ndihmuar Facebook-un, që të ndryshojë modelin e biznesit dhe algoritmet e tij si dhe kulturën në përgjithësi të platformës. Isha i përfshirë ndërkohë në ditët e para si këshillar dhe investitor. Që atëherë, unë dhe shumë të tjerë i bëmë presion themeluesit të Facebook dhe zyrtares së lartë të Facebook Sheryl Sandberg që platforma të reformohej. Kam folur me ta privatisht. Kam folur edhe në publik. Kam shkruar për Time në 2019-ën ku i kërkova Facebook dhe Silicon Valley që të miratojnë teknologji të drejtuara nga njerëzit mbi algoritmet e varësisë dhe të rrezikshme për to. Por asgjë nuk ndodhi, asgjë nuk ndryshoi.
Tre javët e fundit e ndryshuan lojën. Ish punonjësja e Facebook Frances Haugen e ka transformuar bisedën rreth reformës së teknologjisë, duke arritur më shumë sesa ajo që unë dhe të tjerë arritëm me vite përpjekje. Dokumentet për Facebook që ajo siguroi për Wall Street Journal konfirmuan se dëmet nga modeli i biznesit të Facebook nuk janë të rastësishme, por si një rezultat i pashmangshëm i një dizajni të rrezikshëm. Dokumentet treguan se në shumë raste Facebook zgjodhi të dyfishonte aktivitetin, pavarësisht ndërgjegjësimit për dëmin që po shkaktonte, si dhe presionit për ndryshim. Është e qartë se politikëbërësit dhe mediat kanë nënvlerësuar vazhdimisht kërcënimin që shfaqet nga Facebook.
Facebook nuk do të vetërregullohet. Të gjithë stimujt drejtojnë kompaninë që të qëndrojë në kursin aktual. Dhe historia e fundit shërbeu si mbështetje ndaj pikëpamjeve cinike se demokracia dhe qeveria jonë janë aq të pafuqishme dhe të dëmtuara, për të frenuar një kompani gjigante. Megjithatë, tani jemi në një pikë ku mosveprimi i mëtejshëm i Kongresit amerikan ka të ngjarë të rezultojë në katastrofa të vazhdueshme, nga të cilat ne nuk mund të shërohemi, as ne, as brezi i ardhshëm, e ndoshta edhe më shumë se kaq.
Ndonëse ia vlen të mbash nën kontroll shpresat dhe pritshmëritë kur vjen fjala tek Kongresi, momenti aktual ndihet ndryshe nga ato skandalet e kaluara të teknologjisë, sidomos ato që përfshijnë Facebook. Senatorët nga të dy palët u mblodhën këtë javë, ku shprehën mbështetje për dëshminë e ish punonjës Haugen si dhe kërkuan një legjislacion ku të trajtoheshin të gjitha pretendimet. Të jemi realistë: Shumë pak nga anëtarët e Kongresit kanë një panoramë të qartë të rregullores, por tashmë e dinë se duhet ta gjejnë atë rregullore dhe ta shikojnë.
Haugen shprehu ndjeshmëri për themeluesin Zuckerberg, por nuk hezitoi të nxirrte në pah dështimin moral të një themeluesi i cili i jep përparësi fitimeve mbi të mirën publike. Unë pajtohem me këtë, por do shtoja se ky problem në fakt shkon përtej Zuckerberg dhe Facebook. CEO-t si Zuckerberg pretendojnë se kanë një mandat për të maksimizuar vlerën e aksioneve: Ashtu si me frazën; Unë thjesht po ndjek urdhrat, një fokus i vetëm mbi fitimet dhe vlerën e aksioneve mund të vendoset për të justifikuar të gjitha llojet e mëkateve.
Zuckerberg ndryshon nga themeluesit e tjerë në fushën e dëmit që mund të shkaktojë kompania dhe tij dhe për nga kontrolli absolut që ai gëzon, por duke pasur parasysh kulturën e biznesit në Amerikë, dyshoj se shumë CEO të tjerë e kanë zili fuqinë e tij dhe ndoshta shumë do të ndiqnin të njëjtën strategji, megjithëse mund të tregoheshin më të matur në lidhje me marrëdhëniet me publikun.
Për shkak se shumë kompani të tjera po imitojnë Facebook me shpresën për fitimi, rregullimi i Facebook nuk do të jetë i mjaftueshëm. Një pjesë e madhe e ekonomisë amerikane funksionon sipas diktatit të një sistemi që Shoshana Zuboff e Universitetit të Harvardit e quan “kapitalizëm mbikëqyrës”. Në mënyrë analoge me kompanitë e naftës dhe bizneset e tjera të nxjerrjes, kapitalistët e mbikëqyrjes pohojnë të drejtat e pronësisë për çdo pjesë të të dhënave që prekin, përfshirë të dhënat e nxjerra nga hapësirat publike dhe nga përvoja dhe prona e të tjerëve.
Ekonomia e kapitalizmit të mbikëqyrjes vjen nga konvertimi i përvojës njerëzore në të dhëna, ndërtimi i modeleve për çdo njeri nga ato të dhëna dhe përdorimi i atyre modeleve për të parashikuar dhe ndikuar sjelljen. Dhe reklamuesit paguajnë për ato parashikime. Kapitalistët mbikëqyrës gjithashtu përdorin modelet për të informuar ‘motorët e rekomandimit’ që manipulojnë zgjedhjet dhe ndonjëherë sjelljen. Është jashtëzakonisht fitimprurëse, sepse njerëzit marrin vendime në mënyra të parashikueshme, gjë që lehtëson manipulimin nga ana e tyre.
Çdo gjë që ne bëjmë në telefon, çdo transaksion financiar, çdo udhëtim me prenotim online, çdo recetë dhe testi mjekësor, çdo veprim që e marrim dhe lidhet me internetin apo aplikacione të tjera, gjurmohet. Dhe shumica është në dispozicion për blerje në treg të të dhënave. Kompanitë në të gjithë ekonominë përdorin përfitimet e makinerive për të kërkuar modele në këto të dhëna dhe inteligjencën artificiale për të aplikuar ato modele, sigurisht për të përmirësuar biznesin e tyre. Askush në këtë proces nuk mendon për ndikimin tek qeniet njerëzore të prekura nga ndikimi dhe manipulimi i tyre. Qëllimi i tyre i vetëm është të rrisin vlerën e aksioneve.
Autonomia personale dhe demokracia janë nën sulm nga kapitalizmi mbikëqyrës. E megjithatë industria e sotme e teknologjisë është kryesisht e parregulluar, duke u shfaqur në mes të një epoke të çrregullimit dhe financimit të agjencive të zbatimit. Kjo ka lejuar gjigantët e teknologjisë të sillen si qeveri të pazgjedhura. Sistemet e tyre të komunikimit janë bërë qendrore në mënyrën tonë të jetesës, pasi ndikimi i ndërprerjeve të Facebook, Instagram dhe WhatsApp të kësaj jave i nënvizon, por ata kanë diçka shtesë, përforcojnë përmbajtjet që shkaktojnë frikë dhe zemërim, sepse kështu maksimizohen fitimet. Frika dhe zemërimi nxisin zemërimin, i cili pastaj minon demokracinë.
Sa herë që Facebook përballet me presionin për ndryshim, ai bën diçka që tingëllon e dobishme, por në fakt nuk është. Shembulli më skandaloz është ndryshimi i algoritmit në vitin 2018 që uli materialet gazetareske në favor të postimeve nga miqtë dhe familja. Facebook pretendoi se ndryshimi do të rriste ndërveprimin kuptimplotë, por ajo që bëri në të vërtetë ishte rritja e angazhimit duke rritur peshën relative të gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe teorive të komplotit. Në këtë pikë, çdo mbrojtje e kërkesës së vetë-rregullimit në mënyrë të vazhdueshme tingëllon naive.
Dhe Facebook pëlqen ta kalojë përgjegjësinë tek të tjerët përfshirë përdoruesit, por përdoruesit nuk mund të fajësohen për dëmet e shkaktuara nga platforma, as nuk duhet të pritet që ata ta rregullojnë vetë këtë. Familje të panumërta, biznese të vogla, pacientë dhe artistë janë të varur nga Facebook. Anët e mira të Facebook nuk kërkojnë kapitalizëm mbikëqyrës, por pa të, kompania Facebook do të ishte shumë më pak fitimprurëse. Kongresi do tundohet për të bërë ndryshime në reformën legjislative për Facebook, por ky do të ishte një gabim.
Ne kemi nevojë për legjislacion të ri për të adresuar tre probleme të lidhura në të gjithë botën e teknologjisë: siguria, privatësia dhe konkurrenca. E vërteta e trishtë është se industria e parregulluar e teknologjisë prodhon produkte që janë të pasigurta. Kongresi është përballur me sfidën e produkteve të rrezikshme në të kaluarën. Kur industritë e ushqimit dhe ilaçeve ishin të pasigurta, Kongresi krijoi Administratën e Ushqimit dhe Barnave.
Kur kompanitë petrokimike hodhën mbeturina toksike, Kongresi miratoi një sërë ligjesh mjedisore. Ashtu si kompanitë e teknologjisë sot, industritë e prekura pretenduan se nuk do të ishin në gjendje të funksiononin me rregullore, por kjo rezultoi e gabuar. Tani ne kemi nevojë për diçka si FDA për produktet teknologjike, të dizajnuara për të parandaluar dëmtimet në treg. Për produktet kualifikuese, do të vendoste standarde sigurie, do të kërkonte auditime dhe certifikim vjetor të sigurisë si kusht për çdo produkt, dhe do të impononte ndëshkime të mëdha financiare për çdo dëm. Gjithashtu duhet të ketë ndryshime në ‘Seksionin 230 të Aktit të Mirësjelljes së Komunikimeve’ për të krijuar stimuj më të mirë për platformat e Internetit.
Çfarë do ishte zgjidhja? Kongresi duhet gjithashtu që të mbrojë privatësinë e njerëzve nga mbikëqyrja e pamëshirshme. Unë do preferoja që Kongresi të ndalonte kapitalizmin mbikëqyrës ashtu siç ndaloi punën e fëmijëve në vitin 1938. (Shumë industri që punësonin fëmijët u ankuan asokohe se nuk mund të mbijetonin pa to.) Së paku, Kongresi duhet të ndalojë përdorimin e palëve të treta të të dhëna të ndjeshme, të tilla si ato që lidhen me shëndetin, vendndodhjen, transaksionet financiare, shfletimin në internet dhe të dhënat e aplikacioneve. Fusha e tretë për legjislacionin është konkurrenca, ku Kongresi duhet të azhurnojë ligjet antitrust për shekullin 21. Ndërprerja gjashtë-orëshe e Facebook, Instagram dhe WhatsApp ilustroi për shumë njerëz një anë negative të monopolit: varësia absolute nga aplikacionet.
Deri kohët e fundit, Zuckerberg mund të mbështetej tek besnikëria e punonjësve të tij. Disa prej tyre u larguan nga kompania pas akuzave se Facebook kishte luajtur një rol të dëmshëm në Brexit, zgjedhjet amerikane të vitit 2016, spastrimin etnik në Mianmar apo terrorizmin në Christchurch dhe Pittsburgh. Deri në vitin 2020-kur Facebook u përdor nga supremacistët e bardhë për të përhapur urrejtje pas vrasjes së George Floyd, nga aleatët e Administratës Trump për të minimizuar rëndësinë e COVID-19, nga besnikët e Trump për të minuar besimin në zgjedhje, dhe më pas në vitin 2021 nga lëvizja anti-vaksinë për të minuar përgjigjen pandemike të kombit – që punonjësit sfiduan hapur menaxhimin në mënyra të rëndësishme.
Por pavarësisht të gjithave, Zuckerberg vazhdon të flasë sikur Facebook nuk ka bërë asgjë të keqe. Në dëshminë para Senatit ai tha: “Jam i sigurt se shumë prej jush e kanë parë të vështirë situatën e fundit, sepse thjesht nuk pasqyron kompaninë që kemi, e njohim. Ne kujdesemi shumë për çështjet si siguria, mirëqenia dhe shëndeti mendor. Është e vështirë të shihet një mbulim që keqpërfaqëson punën tonë dhe motivet tona. Në nivelin më themelor, mendoj se shumica prej nesh thjesht nuk e njohin ‘Imazhin e rremë’ të kompanisë që po pikturohet”.
E gjithë kjo mund të jetë e vërtetë në mendjen e Mark Zuckerberg, por dizajni i modelit të biznesit të Facebook sugjeron që rritja dhe fitimet janë faktorët e vetëm që nxisin “kompaninë që ne njohim”. Bazuar tek të dhënat e 5 viteve të fundit, dikush mund të thotë se platformat e internetit kanë nisur sulm kundër demokracisë dhe vetëvendosjes. Është një betejë që ata do e fitojnë nëse votuesit dhe politikëbërësit nuk i bashkojnë forcat për të ripohuar fuqinë e tyre. Ne e kemi humbur betejën që nga viti 2016, por do doja të besoja se kjo javë ishte një pikë kthese: Fuqinë e kemi ne. Pyetja është nëse kemi guxim ta përdorim atë!